Ne Korçë kremtohet titulli deri në orët e vona të natës

schedule13:22 - 24 Maj, 2018

schedule 13:22 - 24 Maj, 2018

Në Korçë pati një festë të dytë për titullin e Skënderbeut. Skuadra dhe drejtuesit e kremtuan suksesin, në orët e natës, në një nga lokalet e qytetit.

Në stadium ishte vetëm akti i parë. Klubi i Skënderbeut kishte menduar që më parë për një kremtim të dytë të titullit kampion, pikërisht në njërin nga lokalet e Korçës.

Skuadra, stafi teknik dhe drejtuesit e lartë, së bashku me një pjesë të tifozëve, u zhvendosën në bar-restorant ku vazhduan të gëzonin për disa orë.

Ata nuk kursyen pijet alkoolike, verë apo birrë, ndonëse të dielën, në 27 maj, kanë finalen e Kupës ndaj Laçit.

Presidenti Takaj padyshim ishte ndër më të lumturit, duke qenë ai arkitekti numër 1 i suksesit, jo vetëm të këtij viti, por të një epoke që po mbush dalë nga dalë, 10 vjet.

Trajneri Ilir Daja, i konfirmuar nga Takaj edhe në vazhdim, por padyshim në pritje si gjithë të tjerët, deshi të gëzonte bashkë me lojtarët e tij.

Në krah të Xhejmsit dhe Jashanicës pozoi për kamerat dhe fotoaparatët me trofeun e Superligës në dorë, duke qenë ky titulli i tij i tretë në karrierë, pas atij me Dinamon dhe Elbasanin.

Me skuadrën ishin bashkuar edhe të afërm të lojtarëve, po ashtu edhe politikanë dhe njerëz të tjerë të njohur në Korçë.

Nuk mund të mungonin tifozët, të cilët e kthyen atmosferën si në një stadium, duke brohoritur e duke kënduar këngët e tyre të fitores.

Ata mbeten më optimistët nga të gjithë, dhe besojnë fort se seria e suksesit do të vazhdojë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!