Sali Berisha iu përgjigj akuzave të Edi Ramës për lidhjet e kokainës së kapur në Maminas me drejtues të PD-së, duke thënë se ato kanë qëllim të maskojnë lidhjet e Olsi Ramës me këtë sasi droge. Në studion e “Byro Politike” në ABC News, përballë gazetares Juli Xhokaxhi, Berisha ftoi Ramën të bëjë publike provat që ka për këto akuza. Për të përjashtuar veten nga këto akuza të rivaleve, Berisha deklaroi se i arrestuari kryesor për sasinë rekord te kokainës Arber Çekaj i përket një familje në Tropojë, që njihet si kundërshtare e Sali Berishës dhe me rrënjë tek e majta.
Duke folur për çështjen e audiopërgjimit që sipas PD, implikon vëllanë e ministrit të Brendshëm në trafik droge, ish-kryeministri Berisha tha se njerëz të caktuar në PD janë kërcënuar para publikimit të bisedës mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt, në mënyrë që ajo të mos publikohej.
Berisha foli me shqetësim që Fatmir Xhafaj nuk po lejon të zbatohet ligji “antimafia” për Agron Xhafajn, i cili ka pallate në Vlorë, Tiranë e Pogradec, lojëra fati e toka. Sipas ish-kryeministrit, ministri i Brendshëm është hipokrit, pasi po mbron vëllanë e tij të dënuar, fsheh dënimin në Venezuelë dhe kërkesën e saj për ekstradimin e Agron Xhafajt si dhe ka ndryshuar ligjin me qëllim për të shpëtuar të vëllanë.
Duke folur për zbatimin e ligjit të Vettingut dhe reformës në drejtësi, Berisha tha se ajo ka çuar shoqërinë shqiptare në prag konflikti. Sipas ish-kryeministrit, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese ka rrëzuar Kushtetutën e vendit, ligjin themelor të shtetit.
I pyetur për Adriatik Llallën, Berisha e quajti të kotë përpjekjen për të sfumuar përgjegjësitë e Saimir Tahirit me ish-kryeprokurorin.
Ndërsa akuzat nga mazhoranca për financimet ruse të padeklaruara për lobim në SHBA, Berisha i quajti zhurmë për t’i ardhur në ndihmë Ramës në këtë agoni të tij politike. Ish-kryeministri përsëriti me bindje se PD nuk ka marrë asnjë qindarkë, nuk ka asnjë kontakt dhe asnjë kontrate me kompani ruse për lobim./abcnews.al