Zlatan Ibrahimovic ishte shqetësimi kryesor i Bologna në ndeshjen e djeshme. Milani fitoi 2-0 dhe sulmuesi suedez ishte autori i golave. Sulmuesi i kishte mundësitë për të realizuar më tepër, por nuk ia doli. Pas ndeshjes suedezi nuk i kurseu as batutat.
“Jam në formë të mirë, po punoj dhe kjo është vetëm ndeshja e dytë e këtij sezoni. Fituam dhe mund të kisha shënuar më shumë. Nëse do isha 20 vjeç, do i kisha realizuar edhe dy gola të tjerë. Unë nuk jam i vjetër, jam si Benjamin Button. Lind plak dhe vdes i ri”, tha fillimisht me shaka Ibra.
Më pas ai shtoi: “Duke i lënë shakatë mënjanë, skuadra punoi mirë. Nuk jemi akoma në maksimumin tonë, ndaj edhe kemi bërë disa gabime që zakonisht i shmangim. Objektivi ynë është që të bëjmë më mirë se sezonin e kaluar.
Lojtarët e rinj po punojnë shumë, ata dëgjojnë, kanë disiplinë dhe pas gjashtë muajve të fundit e dinë se çfarë duhet të bëjnë për t’u paraqitur mirë dhe për të qenë të përqendruar çdo ditë. Këtë vit duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, të luajmë me besim dhe ta trajtojmë çdo ndeshje si të ishte finale”.
Ibra ka një rol lideri te Milani dhe kjo i pëlqen: “Më pëlqen të kem përgjegjësi. Presioni më i madh është ai që i bëj vetes. Nuk dua që njerëzit të flasin për moshën time, dua që të më trajtojnë njëlloj si të tjerët. Nuk ka rëndësi nëse jam 38 vjeç, dua të trajtohem si dikush në moshën 20-vjeçare dhe të bëj të njëjtën punë”. /abcnews.al