Zbardhet deklarata e përbashkët: Çfarë firmosi sot Hoti dhe delegacioni amerikan?

schedule20:32 - 21 Shtator, 2020

schedule 20:32 - 21 Shtator, 2020

Delegacioni amerikan, pjesë e të cilit është edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve Richard Grenell, kanë nënshkruar sot një tjetër marrëveshje me Kryeministrin Avdullah Hoti për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshja u nëshkrua mes Hotit dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC) Adam Boehler. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruar një deklaratë ku zotohen për realizimin e projekteve që burojnë nga marrëveshja për normalizim ekonomik me Serbinë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington.

Kështu marrëveshja e re parashikon nxitjen e investimeve.

Deklarata e përbashkët e Kosovës dhe SHBA-së: 

‘Ne, Avdullah Hoti, kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe Adam S. Boehler, Kryeshef Ekzekutiv i Korporatës Financiare amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, e përshëndesim përmbylljen e shpejt të Marrëveshjes së re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve. E ndajmë dëshirën që kjo marrëveshje të nënshkruhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të hyjë në fuqi në të ardhmen shumë të afërt, pas përmbylljes së procedurave tona të brendshme. 

Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”.

Pas normalizimit historik ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës, për të cilën u arrit marrëveshje më 4 shtator të 2020-s në Washington, D. C, Kosova dhe Serbia synojnë të avancojnë negociatat, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së re Kosovë-Serbi për Nxitjen e Investimeve, lidhur me projektet e rëndësishme brenda Kosovës, përfshirë projektet për të cilat ka marrëveshje të jenë pjesë e normalizimit ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës.

“Kosova dhe SHBA-ja synojnë të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve. Duke e zbatuar besnikërisht këtë marrëveshje, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon”.

Grenelli me 13 zyrtarë të tjerë amerikanë ndodhen në Prishtinë  dy javë pasi në Shtëpinë e Bardhë u nënshkrua marrëveshja Kosovë-Serbi për normalizim ekonomik.

Kryeministri Hoti thotë se prezenca e amerikanëve sot në Kosovë, tregon edhe njëherë seriozitetin më të madh të Presidentit Trump, drejt normalizmit të marrëveshjes finale mes të të dyja vendeve.

Me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!