Andrea Pirlo pret një sulmues dhe drejtuesit e Juventusit po punojnë për t’i sjellë Alvaro Moratën. Sulmuesi spanjoll është i preferuari i trajnerit të ri të bardhezinjve. 41-vjeçari e njeh mirë goleadorin e Atletico Madrid, të cilin e ka pasur shok skuadre te kampionët e Italisë.
Sky Sport raporton se bisedimet po bëhen në bazë të një huazimi prej 10 milion eurosh, me klubin italian që duhet të paguajë edhe 45 milion të tjera për ta blerë përfundimisht. Diego Simeone e vlerëson shumë Moratën, por trajneri dhe drejtuesit e “Los Colchoneros” po tundohen nga oferta që vjen nga Serie A.
Shitja e 27-vjeçarit lehtësohet shumë edhe prej Luis Suarez. “El Pistolero” pritet të jetë zëvendësuesi i tij. Bomberi uruguaian është pranë zgjidhjes së kontratës me Barcelonën dhe do të transferohet te Atletico Madrid me parametra zero. /abcnews.al