Ushtria e Kosovës mund të fillojë shumë shpejt edhe operacionet jashtë kufijve përveç mbrojtjes së territorit.
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, në mbledhjen e Qeverisë tha që FSK-ja është e gatshme të bashkëpunojë e të marrë pjesë në operacione ushtarake.
Këtë deklaratë Quni e tha derisa propozoi të votohet koncept-dokumenti për dërgimin e FSK-së jashtë vendit.
“Politika e hartuar hap rrugë për krijimin e bazës ligjore në përcaktimin e përgjegjësive dhe kompetencave të institucioneve në rast të dërgimit të FSK-së jashtë vendit si dhe proceduat e dërgimit në operacione ndërkombëtare dhe aktivitete tjera ushtarake, mënyrën e tërheqjes, zëvendësimin dhe mënyrën e financimit”, njoftoi Quni gjatë fjalës së tij.
Për këtë punë, dy anëtarë të Qeverisë votuan kundër dhe një abstenoi.
Megjithatë, votat ishin të mjaftueshme për t’u votuar kjo gjë, shkruan Gazeta Infokus.
E para se të merrej vendimi, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha që dokumenti në fjalë ka kosto shtesë që nuk janë të parapara me kornizë e projeksione buxhetore.
“Në skenarin e parë bëhet fjalë për 4.3 milionë e në skenarin e dytë mbi 3 milionë. Prandaj rekomandojmë që gjatë hartimit të projektligjit të gjitha aktivitetet të bëhen brenda ndarjeve buxhetore”, tha Krasniqi.