Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, prezanton 100 “Abetaret e Gjuhës Shqipe”.
Kjo ekspozitë retrospektive sjell për publikun abetaret origjinale që ruhen si një trashëgimi e vyer, nga e para e Naum Veqilharxhit e vitit 1844, deri në botimet e vitit 1942, duke shërbyer edhe si një kujtesë e personaliteteve dhe e figura të shquara të kombit.
Për herë të parë bëhen bashkë 100 abetare origjinale të ruajtura në Bibliotekën Kombëtare
Rrugëtimi nis me babain e alfabetit dhe Abetares Shqipe, Naum Veqilharxhi me titull “Fort i shkurtër e i përdorshëm Evetar shqip”.
E vetarët e Naumit dëshmojnë se vlera e një vepre nuk qëndron aq në vëllimin e saj, sesa në rrugën që hap e në idetë që përçon.
Ai ka qenë i vetëdijshëm për këtë kur u thoshte djelmëve nismëtorë shqiptarë: “mos i vështroni të vogëlmit e ti, koha do t’i dëftenjë të mathtë e të rëndit e ti”.
Me mjaft rëndësi është edhe abetarja e Kostandin Kristoforidhit, veçantia e saj qëndron jo vetëm tek shkrimi i saj në dy dialekte , por edhe tek ilustrimi me figura dhe përmbajtja e një teksti letrar.
Pjesa më madhe e abetareve janë botuar jashtë Shqipërisë.
Drejtori i Bibliotekës e vë theksin te ky fakt për të treguar vështirësinë e kohës.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Piro Misha, u shpreh se “kjo ekspozitë sjell rreth 100 vjet rrugëtim të abetares, që reflekton njëherazi një nga rrugëtimet më të vështira, por edhe më të rëndësishmet të emancipimit dhe të kombit shqiptar”.
Ndërkohë që më pas në kohë vijnë edhe abetaret në dy gjuhë.
Ministrja e kulturës, tregon rëndësinë e njohjes së brezit të ri me këtë thesar të çmuar kombëtar.
“Këto ekspozita nuk janë vetëm për historianët, por janë vërtet domethënëse për brezin e ri, për sa kohë ato ata do të afrohen dhe do të njohin akoma më tepër mbi identitetin e tyre kulturor”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Një dedikim i veçantë vjen edhe për Aleksandër Xhuvanin , si homazh për 140 vjetorin e lindjes.
Ekspozita me 100 abetaret e hapur në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar, do të qëndrojë e hapur për një javë.
Kjo ekspozitë retrospektive sjell për publikun rreth 100 abetare që ruhen si një trashëgimi e vyer, nga abetarja e Naum Veqilharxhit e vitit 1844, deri në botimet e vitit 1942, duke shërbyer edhe si një kujtesë e personaliteteve dhe e figura të shquara të kombit, si: Kostandin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Thoma Pano, Koto Hoxhi, Jeronim de Rada, Sami Frashëri, Jani Vreto, Shefqet Daiu, Pashko Vasa, Parashqevi Qiriazi, Aleksandër Xhuvani etj.
/abcnews.al/