Si do të zgjidhet problemi me mijëra emigrantë të ngecur në Greqi

schedule08:05 - 16 Shtator, 2020

schedule 08:05 - 16 Shtator, 2020

Si mund të zgjidhet kriza në Lesbos, pas zjarrit në kampin e refugjatëve në Moria? Athina dhe Brukseli po kërkojnë përgjigje.

Greqia kërkon kampe të mbyllura

Ministri grek për mbrojtje civile, Michalis Chrysochoidis, deklaroi të hënën se asnjë refugjat nuk mund të largohet nga kampi i refugjatëve në ishullin Lesbos. Së pari duhet të regjistrohen në kampin Kara Tepe dhe të testohen nëse janë të infektuar me virusin Corona. Më pas do të vendoset se ku mund të strehohen ata, a mund të kthehen prej nga kanë ardhur apo do të lejohet të shkojnë në ndonjë vend tjetër në brendësi të Greqisë.

Shteti grek, siç tha ministri, nuk mund të lejojë të shantazhohet. Në Greqi mendohet se azilkërkuesit e kanë djegur qëllimisht kampin në Moria, për të detyruar autoritetet që t’u lejojnë atyre që të largohen nga Moria. Qeveria greke ka frikë se kjo mund të ndodhë edhe në kampet e tjera, në qoftë se tani fillon evakuimi i refugjatëve në Lesbos.

Gjermania do të marrë një kontigjent të refugjatëve

Gjermania ka vendosur të marrë një grup prej 150 refugjatësh minorenë si dhe 1500 refugjatë të tjerë nga Lesbosi dhe venstrehimet e tjera në Greqi. Qeveria greke pohon se kjo mund të ndodhë vetëm pas regjistrimit të refugjatëve dhe testimit me virusin Corona. Qeveria greke nuk ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga Gjermania. Rreth 400 refugjatë të moshës minorene janë dërguar ndërkohë në brendësi të Greqisë.

Sa i madh do të jetë kampi Kara Tepe?

Të dhënat për ndërtimin e një kampi të ri në Lesbos nuk mund të konfirmohen deri në fund. Ministri grek për migracion Notis Mitarachi thotë se brenda një jave do të ndërtohet një qendër për personat pa kulm mbi kokë, pra rreth 12000, sa janë vendosur për momentin nën tenda. Kapaciteti i kampit të mëparshëm ka qenë 5.000.

Deri të hënën në mbrëmje janë rregulluar vendstrehimet për 800 persona. Migrantët njoftojnë se gjendja e furnizimit me gjërat elementare për jetë është e keqe. Mendohet se do të kalojnë javë e ndoshta edhe muaj deri sa të 12000 refugjatët të testohen nëse janë infektuar me virusin Corona.

Mangësi të mëdha prej kohësh

Organizimi i vendstrehimeve për refugjatët në Lesbos ka pasur probleme të mëdha prej kohësh. UNHCR dhe shumë organizata të tjera raportojnë për kushte “jonjerëzore” në kampe.  Moria kishte një kapacitet për 3.000 persona, ndërsa atje ishin strehuar 12.000 vetë.

Procedura e azilit në Moria ishte parashikuar të zgjasë “vetëm disa javë” dhe më pas ata të kthehen në Turqi, prej nga kanë ardhur, që ishte pjesë e marrëveshjes me Turqinë. Personat që nuk kanë asnjë shans për azil është dashur të kthehen në vendlindje. Por asnjëra prej këtyre marrëveshjeve nuk ka funksionuar, që ka shkaktuar një grumbullim të rreth 40.000 azilkërkuesve në Greqi. Komisioni i BE bën të ditur se prej vitit 2016 – 2019 në Turqi janë kthyer vetëm rreth 2000 sirianë.

BE vazhdon konsultimet, por vendime nuk ka

Procedurat e azilit në Greqi zgjasin shpesh me muaj, e ndonjëherë edhe me vite. Procedurat në Lesbos janë stërzgjatur ndonëse atje janë vendosur edhe forcat “Frontex” dhe “EASO”, për të ndihmuar. Nëpunësit evropianë megjithatë nuk kanë të drejtë të vendosin. Kjo u takon nëpunësve grekë.

Propozimi i Merkelit

Deri tani nuk është i qartë qëndrimi i kancelares Merkel për kampet në Greqi. Merkeli dhe komisionerja Ursula von der Leyen deklaruan të hënën se në Lesbos duhet të ketë një kamp, i cili drejtohet nga Frontex dhe EASO, së bashku me autoritetet greke. Por diplomatët në Bruksel thonë se pikërisht kjo nuk ka funksionuar në të kaluarën.

Komisioni i BE do të paraqesë të mërkurën në samitin e BE, propozimet e veta për zgjidhjen e situatës. Propozimet parashikojnë reformimin e sistemit të azilit në Evropë. Këto propozime parashikojnë edhe shpërndarjen e azilkërkuesve me të drejtë azili, por mbi bazën vullnetare. Ndërsa ministri i Brendshëm Horst Seehofer propozon një mbrojtje më të mirë të kufijëve të jashtëm të BE dhe që në Greqi të vendoset për kërkesat për azil, me qëllim që dëbimet të bëhen prej atje.

Mbajtja e azilkërkuesve është kundër ligjit

Gjykata Evropiane ka vendosur në majt të vitit 2020, në një proces për Hungarinë, se mbajtja e azilkërkuesve në kufijtë e jashtëm të BE është e mundur vetëm katër javë. Ndërsa futja e tyre në vendstrehime të mbyllura është në kundërshtim me ligjin, sepse i ngjan burgosjes. Nëse ky vendim do të luajë ndonjë rol edhe në Greqi dhe Lesbos, mbetet të shihet.

Aktualisht në BE ekzistojnë rregullat sipas së cilave përgjigja ndaj kërkesave për azil duhet të jepet më së largu pas gjashtë muajve. Këtë rregull e kanë shkelur jo vetëm Greqia por edhe vendet tjera të BE. Tani vendet e BE duhet të vendosin se cilat vende duhet të vendosin në procedurën e azilkërkimit. Para shpërthimit të pandemisë Corona, Greqia planifikonte modernizimin e ligjeve. Por deri tani nuk ka kurrfarë rezultati në këtë drejtim./DW