Sezoni i ri që nis këtë fundjavë, është i duhuri që Milani të rikthehet në nivele të larta në Serie A. Renditja në një nga katër vendet e para është objektivi minimal, madje detyrim. Atmosfera në ekipin e Piolit është e mirë, ashtu si edhe besimi te lojtarët.
Loja e bukur e fazës së dytë në sezonin e fundit, rezultatet pozitive dhe prurjet e mira nga merkato i kanë krijuar shpresë të gjithë tifozëve se Milani do të jetë konkurrues dhe shumë i fortë. Një analizë të kuqezinjve bën për Gazzetta dello Sport Demetrio Albertini, ish-mesfushori i Milanit.
“Gjithmonë e kam shprehur se shtylla kurrizore e ekipit të Milanit është shumë e mirë dhe që merkato duhet të sjellë lojtarë më të fortë se ata aktualë. Tonali është një blerje e shkëlqyer. Gjithsesi, merkato është vetëm një nga aspektet që duhet për të pasur sukses.
Ky Milan ka një tjetër karakteristikë që më bind dhe krijon entuziazëm. Baza e skuadrës është italiane: Donnarumma, Romagnoli, Calabria dhe tani Tonali. E kam nga eksperienca, sidomos ajo që përjetova te Barcelona. Është thelbësore të kesh bazën e lojtarëve nga vendi yt.
Çfarë i mungon kuqezinjve? Një anësor ofensiv i krahut të djathtë, por të jetë lojtar i nivelit të lartë. Chiesa do të ishte perfekti. Po flasim për një futbollist mahnitës, i cili mund të luajë edhe si sulmues i dytë përkrah Ibrahimovic“, deklaron Albertini. /abcnews.al