Zbardhe të tjera detaje për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës. Rreth orës 06:00, 33-vjeçari Klevis Kapllani u gjet i vrarë në automjetin e tij.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton për abcnews.al se i riu ishte i martuar dhe baba i një fëmije të mitur.
I riu që shihni në foto, u gjet pa shenja jete në automjetin e tij tip “Fiat Punto”. Mësohet se 33-vjeçari është vrarë shumë pranë banesës së tij.
LEXO EDHEl Dalin pamjet, si u ekzekutua në makinë 33-vjeçari në Rrogozhinë
Nga hetimet paraprake dyshohet se për ekzekutimin e tij të jetë përdorur pistoletë me selenciator, pasi banorët kanë dëshmuar se nuk kanë dëgjuar krisma arme.
Po ashtu, dyshohet se i riu është vrarë mbrëmë teksa po kthehej më banesë dhe është gjetur mëngjesin e sotëm.
Viktima është gjetur nga një banor i zonës, i cili ka deklaruar se kishte dalë si zakonisht për të shitur qumështin, ndërsa ka parë trupin e mbuluar me gjak në makinë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoja pistolete, ndërsa zona është pa kamera sigurie, ç’ka e vështirëson më shumë punën për identifikimin e autorit/ëve.
Në trupin e 33-vjeçarit janë konstatuar tre plumba, të cilët i kanë marrë jetën, shkruan abcnews.al.
Mësohet se në vendngjarje është gjetur edhe një pistoletë. Do të jetë ekspertiza që do të nxjerrë nëse ka qenë e viktimës apo është përdorur nga autorët.
Nga ana tjetër, banorët i kanë thënë grupit të hetimit së kanë parë ditët e fundit persona të dyshimtë të cilët qëndronin në hyrje të rrugicës së fshatit duke pirë cigare. Viktima dyshohet se është monitoruar nga autorët prej disa ditësh, ku kanë studiuar mirë edhe vendin. Ata fillimisht i kishin vendosur në rrugë disa shkurre për t’i bllokuar rrugën dhe me pas e kanë ekzekutuar.
Nuk dihet ende ora e saktë kur ka ndodhur vrasja, por dyshohet të ketë qenë diku 11:00 apo 12:00 e natës kur ai është kthyer nga kafja që ndodhej afër fshatit.
Ndërkaq, 33-vjeçari rezulton me të shkuar të errët. Ai është dënuar në Itali për trafik droge, ndërsa kishte dy vite që ishte kthyer, ku nuk rezulton të ketë pasur konflikt me persona të tjerë.
Si rrjedhojë dyshimet paraprake janë se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të kaluarës së tij në vendin fqinj. g.v/abcnews.al