Paralajmërimet e Koresë/ Reagon Trump: Mbase nuk takohemi

schedule23:59 - 17 Maj, 2018

schedule 23:59 - 17 Maj, 2018

Presidenti Donald Trump ka reaguar për herë të parë të enjten në lidhje me paralajmërimet e Koresë së Veriut për anulimin e takimit mes tij dhe liderit Kim Jong un. Duke folur nga dhoma Ovale e Shtëpisë së Bardhë, Trump ka lënë të kuptohet se me të vërtetë ka gjasa që takimi të mos ndodhë.

“Mund të takohemi, mund të mos takohemi. Interesante do të jetë nëse nuk takohemi”, ka thënë Trump.

Presidenti ka deklaruar se përgatitjet për samitin dypalësh janë në zhvillim e sipër, përfshirë kontaktet me Penianin për përcaktimin e detajeve.

“Ne jemi në kontakt me ta, të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka vijuar Trump. Ai ka vënë në dukje se ashpërsimi i toneve nga Korea e Veriut vjen pasi Kim Jong un u takua për herë të dytë me presidentin kinez, por nuk e ka thelluar teorinë e tij.

“Për të patur një marrëveshje duhen dy palë. Ai e dëshironte marrëveshjen, por mbase tani nuk e do më”, ka shtuar Trump duke iu referuar liderit korean. Takimi i shumëpritur mes presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe Kim Jong un është planifikuar për më 12 qershor në Singapor.

Më herët gjatë ditës regjimi i Penianit kritikoi lidershipin e Koresë së Jugut për sjellje të papërgjegjshme dhe kërcënoi se bisedimet nuk do të rifillojnë pa u zgjidhur më parë kontestet dypalëshe. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!