17 Majin e një viti më parë, Edi Rama dhe Lulzim Basha shtrënguan duart.
Marrëveshjen e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike e risjell në vëmendje kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Arsyeja e vërtetë është për t’i rikujtuar demokratëve se një vit më parë drejtuan për 5 muaj ministrinë e Brendshme.
Taulant Balla: “E nëse gjithë këto fjalë, ankesa që Lulzim Basha thotë, si ka mundësi që Dritan Demiraj nuk e bëri nëse do të ekzistonte vallë ndonjëherë ndonjë urdhërarresti për Agron Xhafajn”.
Shqetësimit që Lulzim Basha artikuloi për bashkëpunëtorin X në audiopërgjimin e publikuar prej demokratëve, Taulant Balla i thotë se ka një zgjidhje për të.
Taulant Balla: “Merre dhe çoje dhe atë në prokurori. Prej ditës kur në këtë çështje ka hyrë prokuroria asnjë prej nesh nuk duhet të flasë më për këtë çështje”.
Kreu i grupit parlamentar socialist i bën thirrje Partisë Demokratike të heqë dorë nga transmetimet në rrjetet sociale për dy arsye.
E para është që javën e ardhshme të miratojnë bashkarisht rezolutën për miratimin e një qëndrimi të përbashkët në qasjen ndaj rekomandimit dhe rrugës drejt Bashkimit Evropian. Arsyeja e dytë është personi që mbante celularin në duar gjatë kohës që Kryetari demokrat fliste vetëm për publikun në rrjetet sociale.
Taulant Balla: “E ftoj opozitën që javën e ardhshme të heqë dorën nga transmetimet në Facebook. Ajo që është më e turpshme është që ai person që mbante kamerat është i njëjti person që fshiu serverat e 21 Janarit”.
Sa i përket deklaratave për Fatmir Xhafën kanë vetëm një qëllim për Taulant Ballën, të bëjnë pis imazhin e ministrit që meriton të falenderohet për punën e deritanishme.