Vendet e Ballkanit duhet të përparojnë në forcimin e shtetit ligjor dhe stabilitetin social që të nxisin grupimet politike në Parlamentin Evropian të luftojnë për integrimin e tyre. Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për ABC News, kryetari i grupimit Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Evropian, Udo Bullmann.
Në një intervistë eskluzive për ABC News, kreu i ri i grupimit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, Udo Bullman propozon statusin e vëzhguesit për Partinë Socialiste të Shqipërisë në Parlamentin Europian. Ai thekson se vendet e Ballkanit duhet të përparojnë në forcimin e shtetit ligjor dhe stabilitetin social që të nxisin grupimet politike në Parlamentin Europian të luftojnë për integrimin e vendeve të Ballkanit.
Udo Bullmann, kryetari i grupimit Socialist dhe Demokrat: “Ne kemi qenë gjithnjë pionerë të integrimit të vendeve të Ballkanit, sepse kjo sjell përfitim për të dyja palët. Ne nuk mund t’i lejojmë vetes pas katastrofës që ka ndodhur në Ballkan të mos kemi një rajon të integruar në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, Ballkani ka nevojë për Europën, pasi ku tjetër mund të shihet e ardhmja e gjeneratës së re ballkanike përveçse në Europë? Të rinjtë e vendit tuaj duhet të kenë të gjitha shanset për të ndërtuar jetën e tyre në vendin tuaj, por edhe në Europë. Pra, le t’a bëjmë këtë të mundur, pasi nga kjo përfitojnë të dyja palët. Nuk është e lehtë. Ka pengesa të rrepta për vendet që aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër ju e njihni shumë mirë atmosferën në shtete anëtare që bëhet gjithnjë më shumë jomiqësore si në Francë, Holandë, Belgjikë apo dhe në vendin tim, Gjermaninë. Dhe heronjtë e ditës dhe heronjtë e javës janë ata burra që e bëjnë këtë të mundur. Ne e dimë që ka sfida të mprehta që s’mund t’i mohojmë, si shteti ligjor, pavarësia e medias, liria e shprehjes dhe integrimi social. Ne e kemi parë në Poloni apo Hungari se sa e vështirë është kur kalon përmes transofrmimit ekonomik pa ofruar stabilitet social. Ky është një gabim që ne s’mund t’a përsërisim. Ajo që duhet të arrijmë tani është stabiliteti social dhe seriozitet për respektimin e shtetit ligjor. Nëse ju ofroni përmbushjen e këtyre dy kushteve, atëherë ne do të luftojmë për integrimin e Ballkanit”.
Pyetje: “Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të merret në samitin e Qershorit. Ky mund të jetë një sinjal pozitiv edhe për të gjitha vendet e Ballkanit që rruga drejt Bashkimit Europian është e hapur për të vijuar me vende të tjera në rrugën e negociatave të anëtarësimit. Si e shihni ju samitin e Qershorit”?
Udo Bullmann: “Ne e hapim dritaren sërish pas 15 vjetësh dhe u themi të gjithë europianëve, që ne duhet të bëjmë diçka. Duhet të angazhohen shumë energji në gjirin e vendeve të Ballkanit, si edhe në gjirin e Bashkimit Europian. Nuk është e lehtë të thuash që kjo do të ndodhë mërkurën e ardhshme, apo pas 15 apo 20 vjetësh. Duhet përdorur energjia e duhur për t’a bërë këtë proces realitet në të gjitha nivelet. Ne pamë sot në familjen socialiste një qëndrim progresiv midis liderit të Maqedonisë dhe liderit të Greqisë. Të dyja ata mund të kenë jo pak probleme, kur të kthehen në vendet e tyre, pasi ata mundohen që të vendosin urën midis dy vendeve. Por ata janë liderë kurajozë dhe progresistë dhe ne e përshëndesim këtë. Nëse ata mund t’ia dalin që të kapërcejnë hijet e të shkuarës, kjo mund të jetë frymëzuese për të gjithë rajonin”.
Pyetje: “Jam informuar që grupi socialist ka bërë një propozim për t’i dhënë Partisë Socialiste të Shqipërisë statusin e vëzhguesit në Parlamentin Europian. A është e saktë”?
Udo Bullmann: “Kjo është ajo që u premtuam partisë sonë simotër në Shqipëri. Ne kemi kërkuar që me legjislaturën e re që fillon nga 2019, Partia Socialiste të dërgojë vëzhgues, pasi procesi i negociatave është një proces i gjatë dhe ndihmon që të vëzhgohet nga afër në Bruksel”.
/abcnews.al