“Mafia shqiptare nga Ekuadori trafikoi kokainën në Gjermani”

schedule23:57 - 16 Maj, 2018

schedule 23:57 - 16 Maj, 2018

Pas tonelatave me kokainë në Gjermani, qëndron mafia shqiptare. Kështu shkruajnë mediat gjermane, të cilat i referohen burimeve të tyre nga autoritetet në Mynih. Sasia prej 950 kg kokainë e kapur tre ditë më parë në Gjermani, u trafikua nga Ekuadori.

Sasia e saj kap vlerën e rreth 200 milionë Euro, e cila ishte fshehur në një dërgesë me banane. Hetuesit thonë se 1 kg kokainë në Ekuador kushton 1365 Euro, kurse në tregun e zi në Gjermani kushton 75.800 Euro. Sipas autoriteteve gjermane, kontrabandistët e refugjatëve i janë rikthyer trafikut të drogës për shkak të mbylljes së rrugëve të emigrantëve në Ballkan.

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm i landit të Bavarisë në Gjermani, Joachim Herrmann. Dymbëdhjetë persona u arrestuan në total gjatë operacionit anti-drogë të policisë, shumica prej të cilëve janë shqiptarë. Një pjesë e tyre, janë me banim në Gjermani. Policia gjermane e konsideroi sukses këtë aksion, duke sqaruar se goditën një rrjet të madh të trafikut ndërkombëtar të drogës që drejtohej nga shqiptarët.

Kjo organizatë, sipas autoriteteve gjermane, ka trafiluar në total 1.8 ton kokainë me vlerë mbi 400 milionë Euro. Kokaina e fshehur mes bananeve ishte trafikuar nga Ekuadori në Hamburg. Të arrestuarit e kësaj organizate rrezikojnë dënimin deri në 15 vite burg. /tvklan.al