Mediat kanë publikuar një dokument prej 39 faqesh, i cili thuhet të jetë marrëveshja e arritur mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Lega Nord për krijimin e një koalicioni qeverisës. Por dy liderët thanë se bëhej fjalë për një dokument të vjetër dhe e konsideruan publikimin e tij si një përpjekje për të sabotuar bisedimet.
Shpërthejnë polemikat në Itali pas publikimit të disa detajeve rreth marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Legës. Huffington Post publikoi një dokument prej 39 faqesh, që ishte redaktuar mëngjesin e 14 Majit, një ditë pas takimit të mbledhjes dy ditore mes Salvinit dhe Di Maios.
Në tekst vihet re kërkesa për bankën qendrore europiane për fshirjen e një borxhi prej 250 miliardë eurosh të vendit si dhe procedurat teknike për daljen nga zona euro. Ndërsa si masë alternative për shlyerjen e kredisë parashikohet shitja tek italianët e kazermave, monumenteve dhe pasurive të tjera të trashëgimisë publike. Por Lëvizja 5 Yjet dhe Lega reaguan duke thënë se ai ishte një dokument i vjetër.
Madje të dy liderët e konsideruan publikimin e këtij dokumenti si një përpjekje për të sabotuar bisedimet. Një ide tjetër është dhe krijimi i një komiteti pajtimi, i cili do të hynte në funksion në rast përçarjes të mëdha në Këshillin e Ministrave. Komiteti do të jetë i përbërë nga kryeministri, liderët e Lëvizjes 5 Yjet dhe Legës, krerët e grupeve të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit dhe ministrit përkatës.
Në fushën e emigracionit propozimi i Legës është kthimi prapa i emigrantëve, në çdo rast, mbyllja e xhamive dhe shoqatave islamike radikale në vend. Në frontin europian, pika më e rëndësishme është heqja e sanksioneve ndaj Rusisë si një partner ekonomik dhe tregtar.
Gjithashtu është konfirmuar dhe ndihma sociale për të papunët, prej 780 eurosh, që do të merrren nga një buxhet vjetor prej 17 miliardë eurosh. Ndërsa pjesa tjetër e parave duhet të vijë nga Brukseli./abcnews.al