Udhëheqësit e shtatë vendeve të Europës Jugore të enjten i kërkuan Turqisë të përfundojë “aktivitetet e njëanshme dhe të paligjshme” në Mesdheun lindor dhe të rifillojë dialogun për të lehtësuar tensionet në rajon.
Paralajmërimi u bë të enjten, pas një samiti të kryesuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Greqia dhe Qiproja janë në mosmarrëveshje me Ankaranë rreth rezervave të gazit natyror dhe kufijve detarë.
Turqia thotë se ka të drejtë për të kërkuar gaz në zonat që dy vendet e BE-së thonë se janë pjesë e zonave të tyre ekskluzive ekonomike.
Grupi MED7, që përfshin shtetet me vija bregdetare mesdhetare, tha përmes një deklarate të përbashkët se “mbështet dhe tregon solidaritet të plotë me Qipron dhe Greqinë, përballë shkeljeve të përsëritura të sovranitetit të tyre, si dhe veprimeve konfrontuese të Turqisë”.
Pozicioni i MED7 nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimin e BE-së si tërësi. Macron tha se problemi nuk qëndron te populli turk, por te qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Omer Celik, zëdhënës i partisë së Erdoganit, shkroi në Twitter se Macron po shfaq një qëndrim “kolonialist”.
Turqia ka shprehur dëshirë për t’u bashkuar me BE-në gjatë pesë dekadave të fundit, por analistët thonë se numri në rritje i mosmarrëveshjeve midis Erdoganit dhe udhëheqësve të bllokut i ka zbehur këto perspektiva. s.ba/abcnews.al