Abcnews.al publikon përgjime të tjera nga dosja e korrupsionit të gjyqtares Mimoza Margjeka, që SPAK zbuloi përmes përgjimeve. Pasi Nejton Bali bisedoi dhe i tregoi nënës për shumën që duhej për të liruar Orionin nga burgu, familja vendoset në lëvizje për të gjetur 6 mijë eurot.
“Për çunin duhen 6 mijë euro në dorë dhe prapë do ta ndjekin mbrapa” thotë Afërdita Bali. SPAK thotë se të gjitha janë të dokumentuara dhe me vëzhgime ambientale. Në datë 20 korrik, Nejtoni telefonon nënën, e cila e pyet se cfarë i ka thënë Skënderi, pra avokati.
“Skënderi ka dërguar njerëzit e tij në Korçë dhe data nuk është afishuar ende” për seancën në apel. “Që del këtë javë nuk diskutohet” thotë Nejtoni. “Skënderi më tha se ka futur miq me peshë. Më pyeti nëse i kam lekët me vete dhe sa kisha marrë.
Unë i thashë se kisha 5 mijë euro, ai më tha se duhen 6 mijë euro dhe nuk ka problem nëse janë lekë shqiptare. Skënderi më tha se do të bëj më të mirën e mundshme se miqtë që i ka futur do të bënin dicka. Robt i ka të fuqishëm ai atje (referuar avokatit)” thotë Nejtoni. E ëma, e shqetësuar e pyet nëse u bënë 6 mijë euro dhe djali i thotë se po.
Por si ishin më pas lëvizjet e avokatit? Fillimisht sipas dosjes ai komunikon me Albert Zhillën, të cilit i sqaron problemin dhe i kërkon ndihmë nëse njeh ndonjë në Apelin e Korçës, por ky i fundit i thotë se është shkëputur dhe se do të fliste me djalin e tij, Klaudjo Zhilla nëse mund ta ndihmonte.
Avokati i thotë se ka dalë data e gjyqit që është në 22 korrik dhe i dërgon një SMS Albert Zhillës me këtë tekst “Personi është Orion Bali dhe gjyqi është në datën 22 në gjykatën e Apelit Korcë”. Në datë 22 korrik, djali i Albertit, i thotë se ka mikun e tij atje Olsi Xhavellën.
“Problemi është se ata janë tre veta” i thotë Klaudjo Zhilla, avokatit. “Dy gje unë, njërin e kam në hotel se e kam mik edhe atë, atë me mbiemër Cara dhe janë nga Tirana, zonja nga Tropoja” thotë ai, ndërsa për Olsi Xhavellën thotë se nuk i jep garanci pasi “është zhytur keq”.
Avokati i thotë Zhillës se dosja i ka rënë Olsi Xhavellës dhe ai i premton se do ta takojë për të parë nga afër situatën. Në orën 19:16 po të datës 22 korrik, Klaudjo Zhilla i dërgon një mesazh avokatit me tre emrat e të arrestuarve, ndërsa Skënderi Demiraj i thotë se mbron vetëm njërin prej tyre, Orion Balin. “Nesër e kam lënë të takohem. Njëri është nga Tirana me mbiemër Cara, i kam miq, dhe atë shoqen e cila është nga Tropoja me origjinë (Mimoza Margjeka), kurse tjetra është një grua nga Pogradeci, të cilën nuk e njoh (Etleva Temo)”. d.b/abcnews.al