Marko Simonovski nuk e ka pranuar ofertën e Vllaznisë. Sulmuesi, i cili ka qenë në bisedime edhe me Shkëndijën e Tetovës, ka pasur pretendimet e tij në aspektin financiar dhe në Shkodër nuk kanë ndërmend të shpenzojnë shuma marramendëse.
Futbollisti nga Maqedonia e Veriut ka lënë Shkodrën dhe tashmë është në pritje të ofertave të tjera. Ndërkohë në qytetin verior ka sërish zëra merkatoje dhe këtë herë për prapavijën.
Abdurrahman Fangaj, mbrojtësi i krahut të djathtë që ka qenë edhe pjesë e moshave të Vllaznisë, mund t’i bashkohet kuqebluve në janar. Anësori, i cili luan edhe në qendër të prapavijës, momentalisht nuk mund të luajë.
Fangaj u dëmtua në ndeshjen që Laçi fitoi në Ballsh kundër Bylisit (19 korrik) dhe iu desh të operonte ligamentin në Zagreb më pas. Ky vit kalendarik është i mbyllur për të dhe vetëm pas janarit mund të bëhet për lojë. Vllaznia po mundohet ta bindë që tani. / abcnews.al

