Cristiano Ronaldo kaloi kuotën e 100 golave për Portugalinë, duke qenë vetëm 8 gola larg rekordit botëror të kombëtareve. Gjithsesi, portugezi ka mesatare më të ulët shënimi sesa legjenda të tilla si Pele apo Gerd Myler
Do të diskutohet shumë nëse është apo jo më imiri, por për golat është krejt i veçantë. Një “centurion” i kohëve moderne u bë Cristiano Ronaldo, ndërsa arriti e kaloi kuotwn 100 golave me kombëtaren e Portugalisë.
Kjo ndodhi në sfidën e Ligës së Kombeve në fushën e Suedisë, fituar 2-0 me dy golat e yllit të Juventusit, që të dy të veçantë. I pari me goditje dënimi në minutën e parë shtesë të pjesës së parë dhe i dyti me të djathtën në hyrje të zonës në 72’.
https://twitter.com/i/status/1303678520393175041
Portugalia u ndihmua nga kartoni i kuq i Svensonit në 44’, por golat e CR7-ës ishin meritë personale. Tashmë, ai është pranë rekordit botëror që mbahet nga iraniani Ali Daei, me 109 gola për kombëtaren në 149 ndeshje, dhe kur mendon diferencën 8-golëshe gjykon se Cristiano mund t’ia arrijë.
Në vend të tretë në këtë renditje është Mohtar Dahari i Malajzisë, me 14 gola më pak sesa Ronaldo, ndërsa Lionel Mesi është i vetmi nga yjet e mëdhenj (ende në lojë) që është disi pranë, me 70 rrjeta për Argjentinën.
Gjithsesi, legjenda si Ferenc Pushkash, Pele apo Gerd Myler kanë përqindje shumë më të mirë realizimi sesa Cristiano. Pushkash ka 84 gola për Hungarinë në 85 ndeshje, pra me një mesatare tepër të lartë që CR7 as mund ta ëndërrojë.
Pele ka 77 gola për Brazilin në 92 sfida, duke fituar 3 Kupa të Botës. Gerd Myleri, “Bomberi i Kombit” për Gjermaninë, ka 68 gola në vetëm 62 ndeshje, duke qenë sulmuesi me mesataren më të mirë në kombëtare për të gjitha kohët. /abcnews.al