Kukësi është vendosur paraprakisht nga UEFA si skuadër pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, duhet pritur vendimi i KAS-it për dënimin e Skënderbeut.
Mund të jetë aty për të dytin vit radhazi.
Kukësi në Champions nuk është një ëndërr aq e largët, me UEFA-n që e ka vendosur në listën e ekipeve të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi siguroi vendin e dytë në Superligë.
Ëndrra do të bëhet realitet, sidoqoftë, vetëm pasi Gjyqi i Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të vendosë për dënimin e dhënë nga UEFA ndaj Skënderbeut.
Skuadra kuksiane, nëse gjithçka do të ecë mirë për të, do të jetë në vazon e parë në turin e parë eleminator, pra mes ekipeve më të fortë, ndryshe nga sezoni i kaluar, kur u ndesh me Sherifin e Tiraspolit.
Shorti hidhet në 19 Qershor, ndërsa ndeshja e parë është në program për t’u luajtur në 10 ose 11 Korrik.
Vjet, Kukësi mori pjesë në Champions si kampion i Shqipërisë, ndërsa nuk pati fat ndaj Sherifit të Moldavisë, duke u eleminua me gol në fushë kundërshtare.
Skënderbeu, ndërkaq, është i bindur se gjithçka do të jetë ndryshe, dhe se do të fitojë pafajësinë në KAS.
Presidenti Ardian Takaj, sqaroi kështu strategjinë e klubit, në një intervistë të posaçme për abc neës-in.
Ardian Takaj: “Do kërkojmë pezullimin e vendimit për marrjen pjesë në Champions League. Nuk është se gjykohemi për një çështje të re, është një çështje e vjetër. Ne kemi marrë pjesë një vit më parë në grupet e Europa League, prandaj nuk është se cënojmë garën në këtë aspekt”.
Gjykata Sportive në Lozanë pritet të japë vendimin për heqjen ose jo të dënimit të kampionëve të Shqipërisë përpara hedhjes së shortit në 19 Qershor.
Korçarët janë dënuar me 10 vjet përjashtim dhe 1 milionë euro gjobë nga Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës në UEFA, ndërsa ky ndëshkim mbeti në fuqi edhe në Apel./abcnews.al