Prej kohësh është rënë dakord për bashkimin e basketbollit të Shqipërisë me atë të Kosovës. Konkretizimi do të ndodhë nesër, ditë kur do të firmoset krijimi i Ligës Unike. Tetë ekipe do të marrin pjesë në Ligën e përbashkët, katër nga Shqipëria dhe po kaq skuadra dardane. Një marrëveshje historike për kombin tonë midis Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Marrëveshjen do e nënshkruajnë Avni Ponari, presidenti i FSHB, Arben Fetahu, presidenti i FBK, nën praninë e dy ministrave të Kulturës Rinisë dhe Sporteve të dy shteteve tona, Besa Shahinit dhe Vlora Dumoshit. I pranishëm në këtë ceremoni të veçantë do të jetë edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili do të zbulojë edhe logon e Ligës Unike.
Kjo nismë është përkrahur nga Federata Evropiane e Basketbollit, teksa Bordi Drejtuesi i Ligës UNIKE, që përbëhet nga dy anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga dy Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues, e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE. /abcnews.al


