Kolumbianët votuan të dielën, 31 maj, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, me kandidatë me vizione krejtësisht të ndryshme për të ardhmen në një shtet të mbërthyer prej dekadash nga konflikti i armatosur.
Votimi, i parë edhe si një referendum mbi politikat e presidentit në largim Gustavo Petro, vjen 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes historike të paqes me guerilët e FARC-ut (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë). Kjo marrëveshje solli shpresë për t’i dhënë fund ciklit të dhunës mes rebelëve dhe qeverisë, por dhuna është rikthyer sërish, duke u përkeqësuar sidomos para zgjedhjeve presidenciale.
Grupet kriminale kanë shtuar sulmet me dronë, ndërsa atentatet e armatosura kanë shoqëruar fushatën.
Në qershorin e kaluar, politikani 39-vjeçar dhe kandidat presidencial Miguel Uribe Turbay u vra me armë zjarri gjatë një mitingu.
Në një vend ku përpjekja për paqe ka qenë gjithmonë pjesë e jetës politike, mënyra se si duhet trajtuar konflikti është sërish një nga çështjet kryesore që po ndan shoqërinë.
Në fletën e votimit ishin 14 kandidatë, por gara është reduktuar praktikisht në një betejë me tre pretendentë kryesorë.
Senatori dhe mbështetësi i procesit të paqes, Iván Cepeda, aleat i Petro-s, kryeson në sondazhe. Ai premton të vazhdojë nismën e Petro-s për “paqe totale”, duke negociuar me grupet e mbetura të armatosura dhe duke arritur marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund krizës së vazhdueshme.
Megjithatë, ky plan paqeje është kritikuar sepse grupet kriminale kanë përfituar nga armëpushimet e qeverisë. Pavarësisht kësaj, Cepeda dhe Petro ruajnë mbështetje të fortë, sidomos për politikat progresive si rritja e pagës minimale.
Kundërshtarët kryesorë të tij janë Abelardo de la Espriella dhe Paloma Valencia, të cilët premtojnë një qasje shumë më të ashpër ndaj grupeve të armatosura.
De la Espriella, një avokat i njohur për stilin e tij të fortë dhe i quajtur “Tigri”, ka fituar mbështetje duke u paraqitur si kandidat “i jashtëm”, që synon të ndjekë modelin e El Salvadorit në luftën kundër bandave, një model që uli ndjeshëm kriminalitetin, por u shoqërua me akuza për shkelje të të drejtave të njeriut.
Nga ana tjetër, Valencia shihet si mbështetëse politike e ish-presidentit Álvaro Uribe, i cili drejtoi vendin nga viti 2002 deri në 2010 dhe udhëhoqi ofensivën kundër FARC-ut me mbështetje të fortë nga SHBA-të, por që pati edhe kosto të madhe civile.
Të dy kandidatët kanë shprehur afërsi politike me presidentin amerikan Donald Trump, i cili ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Amerikës Latine dhe ka ushtruar presion mbi vende si Kolumbia, Ekuadori dhe Meksika për të luftuar më fort grupet kriminale.
Nëse asnjë kandidat nuk merr mbi 50% të votave, gjë e rrallë në Kolumbi, dy kandidatët më të votuar do të përballen në balotazh në qershor.
Maria Eugenia, një rrobaqepëse 57-vjeçare në Bogota, tha se mbështet një ofensivë të fortë kundër grupeve kriminale, pavarësisht kostove njerëzore. Ajo tha se po voton për de la Espriella sepse dhuna në zonat rurale është bërë e pakontrollueshme.
“Nuk ka rëndësi debati që mund të lindë. Disa njerëz duhet të bien që të pastrohet situata”, tha ajo.
Ndërsa 26-vjeçari Cristian Morales nuk ishte dakord. Ai pranoi se plani i paqes i Petro-s ka dështuar në disa drejtime, por tha se ndryshimi duhet të vijë përmes përmirësimit të tij, jo përmes një qasjeje edhe më ekstreme.
Ai tha se do të votojë për Cepedën, duke vënë theksin te mbrojtja e biodiversitetit dhe zgjerimi i arsimit, më shumë sesa te premtimet për një luftë të ashpër kundër konfliktit të rrënjosur thellë.
Sipas tij, zgjidhja nuk mund të jetë dhuna: Zgjidhja e këtij konflikti nuk është përballja e armatosur. Ajo sjell vetëm më shumë gjakderdhje. Është e vështirë sepse është ose dialog ose armë, dhe një konflikt i brendshëm nuk i sjell dobi askujt.


