Shkëlqimin e madh e nisi që në parket.
Kreshnik Tartari ishte fillimisht një volejbollist virtuoz që provoi kulmet në Shqipëri dhe në Europë me Dinamon e drejtuar nga mjeshtri dhe legjenda e paharruar, Vangjel Koja.
Më pas u bë një fenomen në stol, ndërsa sot vendi ynë mban zi për shuarjen e tij.
Tartari mbylli sytë në San Marino, ku jetoi për shumë dekada, ndërsa ishte 83 vjeç.
Pasi arriti finalen e Kupës së Kampionëve në 1972 me blutë e famshëm, dhe u prit e foli në aeroportin e Rinasit pas kthimit, ai e mbylli karrierën si lojtar në mënyrë disi të parakohshme, dhe nisi atë të trajnerit.
Ishte vendimi I detyruar nga Koja që për momentin e zemëroi, por të cilit më pas i dha të drejtë.
Aftësinë më të madhe e pati pikërisht në stol, tashmë me ekipin e vajzave të Dinamos, që arriti triumfe të jashtëzakonshme.
Njëmbëdhjetë tituj kampion radhazi, duke lënë pas më në fund Tiranën e të madhes Fahrie Hoti.
Njëzet tituj kampion gjithsej, si dhe arritje dy herë në fazën finale të Kupës së Kampionëve, dhe një herë në katërshen finale të Kupës së Kupave.
Nën udhëheqjen e tij u shquan yje të tillë si Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Silva Turdiu, Lulzime Duka, Podgorica, Emona Gripshi, Jorgjeta Qirici, Fausta Toska, Agi Babuli apo Alketa Doçi.
Kulmi ishte janari I 1990, kur Dinamo e Tartarit fitoi medaljen e bronzit në Champions, përballë gjigandëve si Uraloçka e Sverdlovskit apo Teodora Olimpia e Ravenës, duke mundur kampionen e Francës, Rasing të Parisit me rezultatin 3-1.
Ato kohë duken sikur I përkasin një epoke krejt tjetër, e që nuk mund të arrihet dot nga shqiptarët./abcnews.al


