Seanca plenare e Parlamentit Evropian e planifikuar për javën e ardhshme në Strasburg është anuluar për shkak të rrezikut shumë të lartë të përhapjes së Covid-19 dhe do të mbahet në Bruksel, njoftoi sot presidenti i PE.
“Vendimi u miratua dje nga autoritetet franceze, të cilët kanë klasifikuar të gjithë prefekturën e Rinit të Ulët në zonën e kuqe, duke na detyruar të rishikojmë udhëtimin tonë në Strasburg,” tha Presidenti David Sassoli.
Takimi i planifikuar për në 14-17 shtator do të ishte i pari në Strasburg që nga fillimi i pandemisë në Evropë, shkruan abcnews.al.
Sipas traktateve evropiane, parlamenti është i vendosur në Strasburg, ku mbahen 12 seanca plenare tre ditë e gjysmë çdo vit. Në pjesën tjetër të vitit eurodeputetët punojnë në Bruksel.
Që kur filloi pandemia në mars, takimet janë mbajtur kryesisht me telekonferencë me një prani të kufizuar të deputetëve dhe grupeve të tyre.
Seanca e fundit e Parlamentit Europian në Strasburg u zhvillua nga 10 deri më 13 shkurt.
Në takimin e shtatorit, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pritet të trajtojë situatën e BE në fjalimin e saj, gati dhjetë muaj pas marrjes së detyrës. g.v/abcnews.al