Letërporositë e ardhura nga Greqia dhe Italia bënë që të ndryshonte masa e sigurisë ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është që prej Tetorit të kaluar nën hetim. Në fillim të javës pritet që të apelohet masa e sigurisë arrest shtëpie dhëne të shtunën nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-deputetin Tahiri.
Pas disa muajsh hetime e trazime, ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, më të pazakontë të dielën e 13 Majit ia bëri masa e arrestit shtëpiak. Kufiri i fundit i lirisë së tij fizike, ballkoni i apartamentit në zonën e Kodrës së Diellit, në periferi të kryeqytetit. Përcaktuese në masën e re të sigurisë të dhënë të shtunën nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndaj ish-ministrit të Brendshëm Tahiri mësohet se kanë qenë materialet e ardhura nga Italia dhe Greqia, si kthim i letërporosive të dërguara nga Prokuroria.
ABC News ka mësuar se kërkesa e Prokurorisë për Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë “arrest ne burg” ndaj Tahirit u bazua në prova të përcjella përmes letërporosive nga Greqia dhe Italia. Burime të ABC News bënë me dije se pala greke ka paraqitur saktësime në lidhje me hyrje daljet e Tahirit në shtetin grek, të personave që e kanë shoqëruar si edhe të automjetit të tij.
Ndërsa pala italiane ka paraqitur të dhëna shtesë të siguruara gjatë hetimit të dosjes “Habilaj”, për detaje që lidhen me ish-ministrin. Pas analizimit të të dhënave të vena në dispozicion të prokurorisë nga drejtësitë e vendeve fqinje dhe kryqëzimi i tyre me prova të siguruara gjatë hetimit në Shqipërim prokuroria vlerësoi të nevojshme caktimin e një mase shtrënguese.
Sipas burimeve, gjykata nuk ka pranuar masën “arrest në burg”, por atë të “arrestit shtëpiak” për shkak të mungesës së kushteve të flagrancës, rrezikshmërisë shoqërore, apo pamundësisë për të dëmtuar provat. Vendimi që izolon në banesën e tij Tahirin u firmos nga gjyqtarja e Krimeve, Liljana Baku, pasditen e së shtunës.
Në kërkesën e depozituar në gjykatë në orët e paradites së të shtunës, prokuroria kërkonte caktimin e masës “arrest në burg” për Tahirin, të dyshuar për akuzën e “trafikut të narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe të “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendore”. Por pas më shumë se 7 orë shqyrtimi të kërkesës dhe provave të paraqitura nga prokuroria, u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-ministrin e Brendshëm.
Ndërkohë në fillim të javës pritet të ankimohet nga avokati i Tahirit vendimi i Gjykatës. Sipas mbrojtësit ligjor të zotit Tahiri, Maks Haxhia, në vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Brendshëm nuk ka prova të reja, ndaj dhe vendimi kufizues do të ankimohet pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. /abcnews.al