Votuesit në Lombardi e Veneto votojnë masivisht “pro” për më tepër autonomi nga Roma

schedule10:25 - 23 Tetor, 2017

schedule 10:25 - 23 Tetor, 2017

Votuesit në rajonet veriore italiane të Lombardisë e Venetos mbështesin masivisht kërkesën për më tepër pavarësi nga Roma. Kjo u vërtetua në referendumet e së dielës, qëllimi i të cilave ishte këshillimor, pa fuqi vepruese ligjore.

Në Veneto, 98% e votuesve i thanë “Po” kërkesës së hartuar me nismën e presidentit të rajonit Luca Zaia nga Lidhja e Veriut. Pjesëmarrja në votim ishte 60%, duke tejkaluar kuorumin e nevojshëm që një referendum të quhet i vlefshëm.

Ndërsa në Lombardi, kuorumi nuk u arrit pasi pjesëmarrja në votim ishte nën 40%. E megjitahtë, 95% e atyre votuesve që morën pjesë në referendum i thanë po kërkesës për më tepër autonomi. Edhe këtu nisma ishte e presidentit të rajonit, po nga Lidhja e Veriut, Roberto Maroni.

Administratat e dy rajoneve të Italisë së Veriut kërkojnë më tepër kompetenca në menaxhimin e financave lokale. Bëhet fjalë për dy rajonet më të pasura të Italisë, që gjenerojnë rreth 30% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Por krerët e rajoneve ankohen se kontributi financiar i tyre është shumë herë më i madh nga investimet që marrin nga qeveria qëndrore në Romë. Nga përllogaritjet, Lombardia me kryeqendër Milanon, që njihet edhe si kryeqyteti financiar i Italisë kontribuon çdo vit me 54 miliardë Euro për buxhetin e shtetit. Ndërsa Veneto 15.5 miliardë.

Megjithatë, presidenti i Lombardisë Roberto Maroni i përcakton gjërat qartë. Në një intervistë, ai shprehet se referendumet e dy rajoneve veriore italiane nuk do të gjenerojnë asnjë krizë të ngjashme me Katalonjën. Sipas tij, Lombardia e Veneto duan aktualisht më shumë autonomi brenda kombit italian. Ndërsa Katalonja kërkon të bëhet shtet më vete, i ndarë nga Spanja dhe anëtari i 29-të i Bashkimit Europian.

Por të dy rajonet qeverisen nga Lega Nord, një grupim politik i djathtë populist që në bazë të programit ka krijimin e shtetit të pavarur të Padanias në territorin e Italisë së Veriut.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!