Partia Demokratike solli një rast tjetër që sipas saj dëshmon se qeveria nuk i ka mbajtur premtimet dhe në zonat e prekura nga tërmeti, nxënësit nuk kanë ku të bëjnë mësim.
“Jemi në Shijak, pas nesh janë rrënojat e dy shkollave 9 vjeçare ‘Petrit Llaftiu’ dhe ‘Lidhja e Prizrenit’. Shijaku është i përfshirë në zonat e dëmtuara, të prekura nga tërmeti dhe në planin e rindërtimit, por siç e shihni jemi në shtator dhe shkollat nuk janë gati pavarësisht premtimit mashtrues të Rames I cili premtoi hapur, publikisht që 143 shkolla do të ishin gati në shtator. 400 nxënësit e këtyre dy shkollave janë detyruar të shkojnë në një shkollë tjetër, shkolla ‘Muharren Dollaku’ e cila nuk ka kapacitete. Janë gjithsej 9 klasa, pretendohet që mësimi të bëhet me turne por edhe me turne nuk mjafton”, u shpreh Boçi.
Në të njëjtën ditë, kryeministri Rama u shfaq në Rrogozhinë aty ku po ndërtohet një shkollë e re, e cila gjithësesi nuk do të jetë gati për fëmijët në 14 shtator.
“Është punë impresionuese që është bërë, por është edhe volum i madh”, u shpreh Rama.
Kryeministri nuk e quajti të nevojshme një përpjekje të ministrit për rindërtim për t’i dhënë një përgjigje opozitës.
“Ata lerini të flasin”, tha Rama.
Siç njofton qeveria, në Bashkinë Rrogozhinë do të ndërtohen 6 shkolla të reja dhe paralelisht po punohet edhe për banesat. /abcnews.al