Shqipëria dhe Greqia arritën marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të patentave, një masë që pritet të lehtësojë ndjeshëm komunikimin dhe punën e shtetasve të dy vendeve. Kjo marrëveshje është pjesë e paketës së çështjeve dy palëshe të diskutuara muajt e fundit mes diplomacive greke dhe shqiptare.
Ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë Bushati dhe Kotcias nënshkruan dje në Greqi, Marrëveshjen për Njohjen e ndërsjellë të Lejeve të Drejtimit të automjeteve.
Kjo marreveshje konsiderohet një zhvillim pozitiv, pasi do të krijojë lehtësi lëvizje dhe komunikimi më të madha shtetasve shqiptarë dhe grekë.
Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit ne Greqi, e cila ka edhe një kosto financiare nga 700 deri në 1000 Euro.
Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri, dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi, të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.
Pas nënshkrimit, kjo marrëveshje do t’i nënshtrohet procedurave respektive për hyrjen në fuqi.
Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit është një rezultat i prekshëm i paketës së çështjeve dypalëshe të diskutuar në Kretë dhe Korçë nga dy Ministrat e Jashtëm dhe një punë të gjatë negociuese mes ministrive të transportit të dy vendeve tona.
Pas zgjidhjes së çështjes së regjistrimit të fëmijeve shqiptarë të lindur në Greqi, tërheqjes së rezervës nga Greqia për përdorimin e Vulës Apostile, ky është një tjetër rezultat i rëndësishëm i angazhimeve që kanë ndërmarrë dy qeveritë si pjesë e çështjeve që përbëjnë paketën e dakortësuar për zgjidhje nga Ministrat e Jashtëm. /abcnews.al