Nga Esiona Konomi
Rudina Hajdari do të luftojë që të jetë deputete edhe në parlamentin e ri. Më shumë se kaq, ajo synon që të zëvendësojë klasën politike të vjetër, e për ketë, thotë se ka nisur një komunikim me qytetarët.
“Jam shumë e lumtur që njerëzit duan të bëhen pjesë e një iniciative që duan të ndryshojnë të ardhmen”, shprehet Hajdari.
Partia e saj e re nuk do të ketë asnjë lidhje me Lëvizjen Demokratike, partinë e re të njoftuar nga Myslym Murrizi.
“Unë nuk bëhem pjesë e një partie të një individi. Unë bashkë me organizata të reja që janë marrë me nisma politike, po të shohësh ata kanë hedhur hapa përpara për të hedhur një iniciativë të hapur apo të gjerë”, u shpreh ajo.
Hajdari do të krijojë kështu një parti me lëvizjen e shoqërisë civile, të njohur si “Nisma Thurje”.
“Dua që të krijohet një formacion politik që do t’i shërbejë njerëzve”, u shpreh ajo.
Elektorati që kjo parti synon, nuk ka ngjyrë.
“Nëse ti dhe familja jote nuk do që t’i shërbejë më familjes, Rama, Basha apo Kryemadhi, atëherë bashkohu për të arritur një parti politike që i shërben qytetarëve shqiptarë.
Rudina Hajdari hyri në vitin 2017 në partinë që i ati themeloi dhe u trajtua si një risi e listës së Lulzim Bashës. Por rrugët e tyre u ndanë në vitin 2019, kur Hajdari nuk pranoi të digjte mandatin, sipas vendimit politik të Lulzim Bashës.
Prej asaj kohe ajo ka kritikuar fuqishëm lidershipin demokrat dhe është angazhuar në përballjen parlamentare me Edi Ramën./abcnews.al/