Lleshaj tregon skemën e goditjes së krimit: Së shpejti nisim konfiskimet e para të OFL-së

schedule14:43 - 4 Shtator, 2020

schedule 14:43 - 4 Shtator, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur ditën e sotme nga takimi me oficerët e Njësisë Kundër Krimit Ekonomik për strukturën që do të luftojë krimin e organizuar.

Ai tha se kjo strukturë është e përbërë nga disa njësi, të angazhuara për të dhënë goditje të vazhdueshme kundër krimit.

Lleshaj u shpreh se së shpejt pritet të finalizohet vendimet e para përfundimtare të drejtësisë për konfiskimet e para nga Operacioni Forca e Ligjit.

“Krahas shumë angazhimeve dhe prioriteteve të Policisë së Shtetit, lufta kundër krimit të organizuar kryeson listën e të gjithë prioriteteve dhe angazhimeve. Kemi ardhur sot në mjediset e strukturës së posaçme që merret me luftën kundër krimit të organizuar për të parë ecurinë e punëve dhe konstatoj se angazhimi i të gjithë strukturave është në nivelin më të lartë të mundshëm.

LEXO EDHE: Krijohet njësia ‘K’, Lleshaj: Do kapë ata që i janë shmangur drejtësisë prej 30 vitesh që janë strukur në Amerikë

Në këtë strukturë janë të integruara disa Njësi, si ajo që ka të bëjë me luftën kundër krimit ekonomik, ose Njësia “E”, Njësia “I” që është njësia e informacionit, Njësia “K” që merret me kapjen e personave në kërkim, Njësia “C” që merret me luftën kundër krimit kompjuterik dhe Operacioni Forca e Ligjit.

I gjithë ky ansambël i madh strukturash është i angazhuar në një përpjekje të madhe për të dhënë goditje të vazhdueshme kundër krimit në përgjithësi, por me theks të veçantë, krimit të organizuar.

Evidencat e deritanishme tregojnë se ecuria e punës është jashtëzakonisht inkurajuese. Operacioni Forca e Ligjit ka regjistruar sukses të konsiderueshëm, dhe presim që së shpejti të finalizohen dhe vendimet e  para përfundimtare të drejtësisë për konfiskimet e para, për t’u pasuar në të ardhmen me vendime të tjera.

Po ashtu përveҫ Operacionit Forca e Ligjit (OFL), punë e madhe po bëhet edhe në drejtim të luftës për goditjen e grupeve të krimit të organizuar.

Megjithëse shumë prej tyre janë tashmë prapa hekurave dhe në duart e drejtësisë, por ky proces vazhdon me intensitet të lartë.

Masat e marra deri tani janë të plota dhe procesi po vazhdon me intensitet. Besojmë se puna dhe angazhimi do të japin rezultate të shpejta edhe më të thelluara në këtë drejtim të rëndësishëm”, tha Lleshaj./m.v. abcnews.al