Saimir Tahiri i dha atë që nuk ia siguruan dot votuesit. Spartak Braho merr mandatin e deputetit që dorëzoi ish-ministri i brendshëm.
Komisioni qendror i Zgjedhjeve votoi me 7 vota pro rikthimin e Brahos si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
Për Partinë Demokratike prokuroria duhet të veprojë menjëherë ndonëse e quan të vonuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Spartak Braho u zgjodh edhe në 2013-ën si deputet në listat e PS-së, por në atë kohë ishte bërë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas marrëveshjes së koalicionit PS-LSI.
Në zgjedhjet e qershorit të kaluar Braho i përkiste listës shumëemërore të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës. Pas humbjes u bë këshilltar për parlamentin i kryeministrit Edi Rama. Problemet që duhet të zgjidhë Saimir Tahiri me drejtësinë bënë të mundur rikthimin e Spartak Brahos në pushtetin legjislativ./abcnews.al