Sulejman Starova, një ndër emrat më të njohur të futbollit shqiptar, ka folur rreth paraqitjeve pozitive të ekipeve shqiptare në kompeticionet evropiane. Në një prononcim për Panorama Sport, trajneri me eksperiencë ndalet te Tirana dhe Laçi, duke mos i kursyer thumbimet ndaj Crvena Zvezda, që mposhti 0-1 bardheblutë e Egbo në “Air Albania”.
“Situatë e veçantë sepse u kualifikuan të katër ekipet njëherësh, kjo i bën mirë futbollit shqiptar. Kjo tregon se futbolli te ne ka specialistë të zotë, lojtarët japin maksimumin, por pengesa është leku. Jemi të fundit me buxhet, por po jepet maksimumi dhe ka rritje.
Crvena Zvezda është një nga ekipet më të dobëta që kam parë të vijë në Shqipëri. Tirana krijoi 2-3 raste dhe u duk se ishte shumë mirë, por kjo ndodhi sepse ishte dobët Zvezda. Të gjithë thonë që Tirana bëri namin, por nuk është e vërtetë. Namin e morën prej serbëve, pasi skuadër më të dobët nuk kisha parë të vinte në Shqipëri.
Laçi? Më pëlqen tani më tepër se Tirana, që nuk është ajo që fitoi kampionatin. Kurbinasit kanë shanse të kalojnë Hapoel Beer Sheva dhe të shkojnë më tej, edhe pse do e quaja surprizë. Laçi mund t’ia dalë dhe ka realisht shanse. Skuadrën e ka të mirë, madje e ka më të pjekur se vjet.
Lojtarët janë rritur shumë dhe kanë fituar formë. Më duken më të bindur për kualifikim. Teuta dhe Kukësi? Ndeshjet e tyre kundër Granadës dhe Wolfsburg, mund t’i quaj si ‘bomba’. U ka rënë shumë keq shorti, pavarësisht përpjekjeve që do të bëjnë për kualifikim“, thekson Starova. /abcnews.al