Veliaj përuron Parkun e Europës në Tiranë

schedule17:31 - 9 Maj, 2018

schedule 17:31 - 9 Maj, 2018

Në ditën e Europës, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian Christian Danielsson, përuruan Parkun e Europës në Tiranë. Transformimi i Tiranës në një qytet evropian tha Veliaj është përmbushja e ambicies tonë evropiane.

Parku i Europës në Tiranë gjendet fare pranë sheshit “Skënderbej”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e përuroi bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së në ditën e Europës.

“Arsyeja pse e ka Parku Europa është se është ngjitur me Sheshin “Skëndërbej”, sepse unë besoj që ambicia jonë europiane daton që në kohën e Skënderbeut ose ndoshta edhe më tej. Edhe nga ana e urbanistikës, pjesën e zhurmës, të qejfit dhe rrëmujës e kemi në shesh, pjesën e paqes dhe qetësisë dhe të rregullit e kemi te Parku i Europës. Besoj se është një metaforë e bukur e asaj që përfaqësojnë të dy shoqëritë tona komplementare. Mezi pres që teksa shkëmbejmë shumë me njërit-tjetrin dhe të gjitha projektet që kemi me këtë qytet dhe vendet tuaja, të fillojmë dhe t’ju ngjajmë më shumë për mënyrën sesi menaxhojmë këtë copë të Shqipërisë europiane që ne administrojmë në Tiranë”.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, vlerësoi kthimin e hapësirës që i dedikohej makinave në një park me pemë që do të përfaqësojnë familjen europiane në Tiranë.

“Po qëndroj këtu në këtë pjesë të sheshit, e cila më përpara ishte dedikuar vetëm për makina, tashmë është shndërruar në një zonë për këmbësorët, pra dhe në një mënyrë shumë simbolike duke përcjellë mesazhin ‘Europa e bashkuar në diversitet’ sepse nëse i shihni pemët kuptoni se nuk janë të lidhura me njëra -tjetrën. Është një kombinim perfekt i pemëve që vijnë nga vendet anëtare”.

Më herët, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një takim të veçantë me Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Chrisitan Danielsson, bisedoi rreth projekteve transformuese ne kryeqytet dhe  mundësisë së bashkëpunimit në fusha, ku Tirana mund të përfitojë.

Në shenjë miqësie Veliaj i dorëzoi Danielsson “Çelësin e Qytetit”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!