Kreu i partisë Bindja Demokratike Astrit Patozi përmes një statusi në rrjetet sociale shkruan se zgjedhjet në Malin e Zi janë një mesazh edhe për Shqipërinë.
Sipas Patozit, mesazhi që vjen nga fqinji verior është më tepër për “të fortët e përjetshëm të rajonit, siç i quan ai, të cilët duhet të shqetësohen”.
Patozi thotë çfarë është e sigurt në Malin e Zi është fakti se të mëdhenjtë janë në mëshirën e më të vegjëlve.
Kjo gjë sipas tij, duhet menduar si e tille edhe nga Tirana, e cila ka dalldi emocionale për problemet e të tjerëve ndërkohë që ka hallet e veta.
Postimi:
“NJE MESAZH POZITIV NGA MALI I ZI
As na shkon, as na duhet dhe, as kemi gjë në dorë po të përzihemi me punët e Malit të Zi, ndërkohë që kemi plot halle tonat, të cilat na dalin e na teprojnë edhe për 20 vjet të tjera.
Por meqë ka shpërthyer një tifozllëk i madh në Tiranë, pas zgjedhjeve të atjeshme, është më mirë që ta marrim me pozitivitet atë që ndodhi. Jo thjesht se rezultati është tepër i ngushtë dhe askush nuk vë bast për qeverinë e nesërme apo për ekuilibrat e brishtë të pushtetit në Podgoricë.
Por më shumë si një mesazh, që shkon për të “fortët” e përjetshëm anembanë rajonit, të cilët kanë arsye të mjaftueshme të shqetësohen. Sepse e vetmja gjë e sigurt sot në Mal të Zi është që të mëdhenjtë janë në mëshirën e të vegjëlve.
Dhe po ta mendojnë kështu, kam përshtypjen se do të bjerë shumë shpejt edhe kjo dalldia emocionale për zgjedhjet dhe problemet e të tjerëve, por që ngjasojnë jo pak me tonat”./abcnews.al