Në sheshet e gjashtë qyteteve të vendit u realizua njëherësh një aktivitet që ka për qëllim të mos harrohen krimet e komunizmit. Ky aktivitet i pari i këtij lloji u realizua përmes një instalacioni kompleks me dëshmi të njerëzve të dënuar dhe të burgosur në kohën e diktaturës.
“Edhe muret kanë veshë”. Instalacioni i projektuar në të njëjtën natë dhe orë në sheshet kryesore të 6 qyteteve.
Një krijim shumëdimensional i kujtesës kolektive për ata që u dënuan, humbën lirinë apo jetën në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste.
Frazat apo thëniet që përshkruajnë tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga krimet e komunizmit janë shkëputur nga dorëshkrime, dokumentime apo arkiva personale të individëve të burgosur, apo internuar dhe janë përzgjedhur nga dëshmitë gojore të të mbijetuarve.
“Isha 6 vjeç kur u njoha me burgun”…. ” Qaja se kisha frikë gogolin“… shprehje të marra nga dëshmitë e personave të cilët vite me radhë vuajten burgjet e komunizmit.
“Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, ishte qëllimi i një aktiviteti të tillë kuruar nga artisja Alketa Xhafa Mripa.
Së bashku me Autoritetin e Dosjeve, artistes iu bashkua një ekip ekspertësh të artit dhe komunikimit, të cilët kontribuojnë në aktivitetet ndërgjegjësuese të kësaj platforme. /abcnews.al