Rama në Laç: Janë rritur vetëm 2 taksa, të tjerat janë spekulime

schedule19:23 - 8 Maj, 2018

schedule 19:23 - 8 Maj, 2018

Në turin e bashkëbisedimeve me banorë të qyteteve të ndryshme të vendit, kryeministri Rama po shpjegon punën dhe projektet e qeverisë si dhe po dëgjon shqetësimet e tyre. Në fokus kryesor janë taksat, punësimi, investimet në infrastrukturë.

Gjatë një takimi me qytetarë të Laçit, kryeministri Rama përsëriti për të gjithë skeptikët se nuk ka rritje taksash. Qytetarëve që iu ankuan për fatura të shtrenjta iu shpjegoi edhe dallimin.

Edi Rama: “Taksat, drita dhe uji. Dritat dhe uji nuk janë taksa, sa për dijeni i dashur. Dritat dhe uji janë mallra që blihen dhe paguhen. Dhe sigurisht, kur nuk i ke paguar përpara dhe fillon t’i paguashht, të duket qamet i madh”.

Për bizneset barra fiskale është ulur, sipas shefit të qeverisë. Rama shpjegoi dy taksat që ka ngritur qeveria,  ndërsa tha se me taksat e tjera po bëhet një spekulim i madh.

Edi Rama: “Përveç taksës për më të pasurit që do të thotë që ne i kemi ulur taksat për 97 përqind të të tjerëve që kanë të ardhura nga rroga apo biznesit të vogël, ne kemi rritur, është e vërtetë, taksën e karburantit. Kemi rritur dhe akcizën e cigares, por ajo është taksë qejfi. Kush do të shkojë në rrugën e shkatërrimit të mushkërive ta paguajë atë taksë. Kush s’do ta paguajë le ta lejë duhani edhe jemi në rregull”.

Edhe në Laç, kryeministri foli për projektet e afërta të qeverisë për rrugët, kryesisht për ato në veri të vendit. Sipas Ramës, gjaë mandatit të parë, qeveria e tij është përpjekur të mbulojë borxhin e lënë në infrastrukturë nga paraardhësit.

Edi Rama: “Pse rrugët u lanë rrugëve dhe pse rrugët nuk u përfunduan dot në mandatin e parë? Rrugët u lanë rrugëve sepse Saliu thotë kemi bërë 10 mijë kilometra. Kuptohet, me vizoren e Saliut, shifrat duhen marrë gjithmonë me lekët e vjetra se i bie shumë larg. Por sidoqoftë e vërteta është se qeveria paraardhëse ka bërë tendera shumë më tepër seç ka bërë qeveria jonë. Po t’i shikoje në terren sa prej rrugëve të tenderuar ishin realizuar, unë po ju them që kemi ndërtuar më shumë kilometra sesa kishin ndërtuar ata. ”

Kryeministri theksoi edhe në këtë takim se 70% e investimeve për rrugët janë në veri të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!