Thaçi mbërrin në Gjermani, nesër takimi me Merkel

schedule13:59 - 8 Maj, 2018

schedule 13:59 - 8 Maj, 2018

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet në Gjermani ku nesër do të takohet me kancelaren Angela Merkel. Ai njoftoi se do të bisedojë për marrëdhëniet dypalëshe, perspektivën europiane dhe dialogun me Beogradin. Gjithashtu në një intervistë për mediat gjermane, Thaçi kërkoi që Serbia të njohë Kosovën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet në Berlin në pritje të takimit që do të zhvillojë të mërkurën me kancelaren Angela Merkel. Me anë të një mesazhi në facebook, kreu i shtetit thotë se Gjermania ka qenë gjithmonë mbështetëse e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. “Me kancelaren Merkel do të bisedojmë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, për perspektivën evropiane dhe dialogun me Serbinë. Roli i saj në këto procese është përcaktues”, shkruan Thaçi, ndërsa nënvizon se do të përmbushen përgjegjësit dhe obligimet ndërkombëtare.

Në sajë të vizitës në Berlin, presidenti kosovar ka folur dhe më gjerësisht për shumë çështje. Në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt”, Thaçi ka një kërkesë që e ka përsëritur shpesh për Beogradin. “Jam shumë i interesuar në ndërtimin e marrëdhënieve normale me Serbinë, në çka edhe varet e ardhmja e vendit tonë, dhe nuk guxojmë të ankohemi për kohët e kaluara, por të punojmë për të ardhmen”, u shpreh ai. Ndërsa më tej shton: “Nuk është në interesin e Serbisë, por në interesin e të gjithë rajonit që të avancojmë në marrëdhëniet tona bilaterale, por një kusht është i pashmangshëm që Serbia të njohë fqinjin e saj Kosovën si shtet të pavarur”, nënvizon Thaçi duke sjellë në vëmendje që njohja e Kosovës ëhstë kusht që Beogradi të anëtarësohet në BE.

Ndërkohë, presidenti kosovar i bëri thirrje Brukselit që të përshpejtojë integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në të kundërt Rusia do të fitojë terren dhe do të rrisë ndikimin e saj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!