Armand Duka, presidenti i FSHF-së, i entuziazmuar për kualifikimet e skuadrave shqiptare në Europa League, ka vendosur të flasë për “fshf.org” dhe nuk komenton vetëm këtë sukses. Ai thekson se formula e kampionatit i ka ndihmuar skuadrat të përforcohen dhe vlerëson aktivizimin e të rinjve nëpër klube. Ndikimi i infrastrukturës është i dukshëm, ndërkohë që Duka flet edhe për mundësinë që kanë klubet për t’u rritur edhe më shumë prej të ardhurave të përfituara nga kalimet e tureve në kompeticionet europiane.
ECURIA NË EUROPË – “Suksesi i skuadrave shqiptare në Europa League konfirmoi së pari faktin se cilësia e kampionatit kombëtar Kategoria Superiore është rritur ndjeshëm dhe kjo është thelbësore. Ballafaqimi me skuadrat e vendeve të ndryshme në Europë tregoi se jemi bërë më konkurrues, mbase si kurrë më parë.
Sidomos dy fitoret në transfertë, ajo e Tiranës në Gjeorgji dhe e Laçit në Azerbajxhan ishin prova më e mirë se suksesi nuk është aspak rastësor dhe se klubet shqiptare kanë bërë përmirësime të ndjeshme në aspektin e menaxhimit. Por edhe Teuta ndaj Beitar Jerusalem dhe Kukësi ndaj Slavia Sofjes kanë shkëlqyer në turin e parë. Na kanë bërë të ndihemi krenarë”.
NDIKIMI I SUPERIORES ME 10 EKIPE – “Unë mendoj se formula e Kategorisë Superiore me 10 skuadra është me optimalja dhe më efektivja. Kjo formulë ka rritur ndjeshëm konkurrencën, duke i detyruar klubet në një farë mënyrë që të synojnë te cilësia e futbollit dhe afrimi i talenteve. Gara ka qenë shumë më e fortë në fushë, si përsa i përket majës së renditjes, ashtu edhe në luftën për mbijetesë. Konkurrenca ka patur mjaft efekte pozitive”.
“Gjithashtu, them se klubet shqiptare kanë përmirësuar cilësinë e menaxhimit. Nëse në vitet e kaluara kemi pasur vetëm një skuadër ose dy që kanë bërë një paraqitje të mirë në kompeticionet europiane, këtë vit të katër skuadrat që kanë siguruar kualifikimin në Champions dhe Europa League kanë treguar që të gjitha nivel të mirë dhe kanë bërë ndeshje dinjitoze. Do të veçoja sidomos rastin e Tiranës që luajti mjaft mirë ndaj Crvena Zvezdës, skuadër që vitin e kaluar mori pjesë në fazën e grupeve të Champions League dhe me një buxhet shumë më të madh. Kampionëve të Shqipërisë thjesht u mungoi fati në atë sfidë”.
INFRASTRUKTURA – “Investimet në infrastrukturë kanë nxitur rritjen e cilësisë. Jo më kot edhe Federata Shqiptare e Futbollit e ka vënë fokusin e saj te infrastruktura dhe projekti “100 fushat” mund të sjellë një zhvillim të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit. Paraqitja e mirë e skuadrave shqiptare pasqyron pikërisht edhe përmirësimin e infrastrukturës sportive të klubeve. Nëse vazhdojmë me investimet, e ardhmja do të jetë e ndritur.
BESIMI TEK TË RINJTË – “Patjetër, ajo që u vu re në këto ndeshje ishte fakti se numri i futbollistëve shqiptarë të talentuar është rritur ndjeshëm dhe ky është një lajm shumë i mirë. Tirana, Teuta, Laçi dhe Kukësi kishin në përbërje në ndeshjet e Europa League shumë të rinj të talentuar, që kanë dalë nga akademitë e tyre. Elementë që shfaqën potencial të madh në fushë dhe treguan karakter të fortë. Shpresoj shumë që ky vit të mos jetë një përjashtim dhe ky fenomen të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Shqipëria prodhon shumë të rinj të talentuar dhe është mëkat që të mos marrim maksimumin nga ky investim”.
PARATË NGA UEFA – “Këto kualifikime do të rrisin kapacitet financiare të klubeve për të investuar më shumë. Besoj se këto suksese kanë bërë që klubet shqiptare ta kuptojnë se sa i rëndësishëm është investimi dhe se si një punë e mirë e bërë përgjatë një sezoni shpërblehet dhe përkthehet në të ardhura për arkat e tyre. Këto përfitime do të shkojnë për të forcuar skuadrat dhe sidomos akademitë e moshave, që janë e ardhmja e futbollit”. /abcnews.al