Më 2 shtator do të zhvillohet në Paris gjyqi kundër 14 të pandehurve që dyshohet se kanë mbështetur vëllezërit Kouachi dhe Amédy Coulibaly, autorë të sulmit në redaksinë e Charlie Hebdo.
Më 7 janar 2015, vëllezërit Kouachi hynë në redaksinë Charlie Hebdo, duke vrarë 12 persona dhe më pas u arratisën. Të nesërmen, Amédy Coulibaly vrau fillimisht një agjente në Montrouge, afër Parisit dhe më pas, më 9 janar, ekzekutoi 4 burra, të gjithë të fesë çifute, të marrë peng brenda një supermarketi në lindje të kryeqytetit. 3 terroristët u vranë më vonë nga policia.
Gjyqi, i cili duhej të fillonte para verës, është shtyrë për shkak të pandemisë dhe do të filmohet për shkak të interesit të saj të lartë në arenën ndërkombëtare, dhe për shkak të vendimit në pritje që premton të jetë historik.
Nga 14 personat që do të gjykohen, 3 prej tyre u larguan disa orë pas sulmeve dhe mendohet se qëndruan në Siri apo Irak dhe më vonë u vranë në Lindjen e Mesme. Vdekja e tyre nuk është konfirmuar kurrë zyrtarisht, por ata janë pjesë e urdhrit për arrest ndërkombëtar.
Të pandehurit akuzohen për bashkëpunim në akte terroriste dhe anëtarë të grupeve kriminale. Ata rrezikojnë të dënohen nga 10 vite deri në burgim të përjetshëm. Ndërkohë vazhdojnë hetimet për të vërtetuar mbështetjen e mundshme që vëllezërit Kouachi mund të kenë pasur nga Jemeni./abcnews.al