Mesfushori i Brescias, Sandro Tonali, ka disa kohë që flitet se do të transferohet në radhët e Interit. Madje këtë javë duhet të ishte dhe zyrtarizimi i marrëveshjes, por për momentin diçka e tillë nuk pritet të ndodhë. Klubi zikaltër fillimisht duhet të largojë disa mesfushorë të padëshiruar nga ekipi dhe më pas të hidhet në sulm për 20-vjeçarin.
Nga kjo situatë e krijuar kërkon të përfitojë Milani. Sipas raportimit të “Corriere delle Sera”, drejtuesit kuqezinj po përgatisin një ofertë për Brescian, e cila nuk ka më ndërmend që ta presë Interin. Fillimisht “Djalli” pritet të paguajë 10 milionë euro dhe më pas 15 të tjera.
Kujtojmë që italiani shkëlqeu këtë sezon në Serie A, duke rënë menjëherë në radarët e klubeve të mëdha. Mesfushori falë paraqitjeve të tij fitoi dhe një ftesë nga trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, dhe shpesh cilësohet si Pirlo i ri. /abcnews.al