Spanja bën të detyrueshme përdorimin e maskave në shkolla

schedule09:17 - 28 Gusht, 2020

schedule 09:17 - 28 Gusht, 2020

Spanja ka publikuar planin për rihapjen e shkollave disa ditë para se të fillojë viti akademik. Sipas planit nxënësit e moshave mbi gjashtë vjeç do të jenë të detyruar të mbajnë  maska në klasa.

Spanja ka regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në perëndim të Europës, dhe kjo ka hedhur dyshimet se plani për shkollat mund të shtyhet në zonat më të prekura.

Por, ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, ka deklaruar se shkollat mund të mbyllen vetëm nëse do të shfaqen raste me COVID-19 në klasa të ndryshme.

Spanja doli nga izolimi në fund të korrikut, por rastet  kanë filluar të rriten sërish. Nga të dhënat zyrtare  janë raportuar 3594 raste të reja të mërkurën. Rreth  29,000 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë.

E pyetur nëse prindërit kanë të drejtë të mbajnë fëmijët në shtëpi nëse nuk ndihen të sigurt, ministrja e Arsimit, Isabel Celaa, tha se shkollat janë vendi më i sigurt se çdo vend tjetër. Përveç maskës, fëmijët janë të detyruar të mbajnë distancën prej 1.5 metra nga njëri-tjetri.

17 rajone të Spanjës kanë përgatitur planin e tyre të rikthimit në shkolla,  duke përfshirë mbajtjen e maskave dhe përgjysmimin e numrit të nxënësve në klasa./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!