Pavarësisht përurimit të mandatit të ri, Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të vazhdojë linjën e politikës së tij të vjetër. Kjo, nisur nga fakti se pavarësisht premtimeve për ndryshim, ai ka vendosur të mbajë në postet kyçe të pushtetit njerëzit e tij të besuar.
Presidenti Vladimir Putin u betua të hënën për mandatin e tij të katërt, në një ceremoni ku sinjalizoi se do t’i qëndrojë besnik politikës që e ka vënë Rusinë në konflikt me Perëndimin. Dhe në këtë këndvështrim nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, nisur nga emërimet që ai ka bërë në pikat kyçe të pushtetit të tij piramidal.
Menjëherë pas ceremonisë së betimit, Kremlini shpërndau një komunikatë ku thuhej se Putin kishte emëruar sërish Dmitry Medvedev si kryeministër. Medvedev, një besnik i shefit të Kremlinit, mban postin në fjalë që prej vitit 2012. Njohës të politikës ruse kishin spekuluar më herët se Putin do të sillte figura të reja për të zgjidhur problemet akute të Rusisë, mes të cilave spikasin ekonomia e dobët dhe mungesa e investimeve.
Por nuk ka ndodhur kështu. Për më tepër, edhe vetë Medvedev nuk ka sjellë asnjë risi në kabinetin e tij. Të vetmit që ai nuk ka rikonfirmuar kanë qenë zëvendës kryeministrat Arkady Dvorkovich dhe Igor Shuvalov, që e kishin promovuar veten si kampionët e biznesit privat. Ndërkohë, ministri i Financave Anton Siluanov do të vazhdojë të qëndrojë në karriken e tij.
Ndërsa Vitali Mutko, që drejtoi Ministrinë e Sporteve në kohën e skandalit të dopingut, do të braktisë këtë detyrë por do të mbajë atë të zëvendës kryeministrit dhe atë të ministrit të Ndërtimit. Pavarësisht se mandatin e ri Putin e nis me një mbështetje të gjerë popullore të treguar në sondazhe, nuk janë të pakët as ata që kundërshtojnë pushtetin e tij. Sa i takon përballjes me Perëndimin, diplomatë të huaj të akredituar në Moskë vlerësojnë se ka pak gjasa që në këtë mandat të katërt të Carit kriza të lehtësohet./abcnews.al