Policia e Vlorës prangosi një person me rrezikshmëri shoqërore, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Bëhet fjalë për Indrit Hitën, i cili sipas policisë është me precedentë të theksuar kriminalë. Pasi e pikasi, policia i bëri thirrje të ndalojë.
Në momentin që i kërkuari tentoi të largohej me vrap, njëri prej efektivëve të policisë ka qëlluar në ajër.
Pas arrestimit, atij i është kapur edhe një armë zjarri pistoletë me një krëhër me fishekë luftarak.
Abcnews.al mëson se Indrit Hita, i lindur në Tepelenë rezulton i dënuar me gjashtë vite burg me akuzën “vjedhje me armë“.
“Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim, atyre që merren me shpërndarje të lëndëve narkotike apo qarkullojnë me armë zjarri, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore nga Forcat Operacionale pranë DVP Vlorë për një person me rrezikshmëri për komunitetin i cili qarkullonte me armë zjarri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fast”.
Forcat Operacionale pranë DVP Vlorë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë operacionit, në lagjen “1 Maji” në Vlorë, pranë një lokali kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin I. H., 36 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit“, bën me dije policia.
Raportohet se në çantën e krahut, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë model “Beretta” me një krëhër me fishekë luftarak. /abcnews.al