Leo Messi dhe Barcelona pritet të ndajnë rrugët, ndërkohë që për shërbimet e tij do të vihen në garë shumë klube. Sulmuesi argjentinas ka dërguar një “burofax” në klub, që e publikoi në orët e vona të të ditës së djeshme TyCSports. Më pas u fshi, por në media të tjera ndërkombëtare vijon të bëjë xhiron e internetit.
Në letrën e dërguar klubit të Barcelonës thuhet qartë se Messi kërkon të largohet: “Unë kërkoj që të ndërpres kontratën e punës, që unë kam aktualisht në klubin tuaj, bazuar në klauzolën 24 që është në fuqi. Unë jam mirënjohës për të gjitha mundësitë, për rritjen personale dhe përgatitjen profesionale, që më janë ofruar gjatë kohës që kam punuar në klub.
Ato mësime më lejuan të konsolidoj profilin tim teknik dhe njerëzor. Për arsye personale marr këtë vendim të vështirë, që shpresoj që të kthehet në një të mirë të klubit”. Që mbrëmë në Barcelonë nisën protestat e tifozëve, që kërkojnë të dorëhiqet presidenti Josep Maria Bartomeu. Ky i fundit u shpreh më pas për “Sport” që nuk e mendon diçka të tillë.
ÇFARË ËSHTË BUROFAX? – Në Spanjë e njohin mirë, pasi është një metodë komunikimi shumë e përdorur. Përdoret për dërgesa urgjente të dokumenteve, që duhet të dorëzohen me çdo kusht dhe gjithmonë firmosen nga marrësi. Këto lloj dokumentesh kanë vlefshmëri juridike, pasi në të është teksti, dërguesi, marrësi, data e dërgimit, pra si të ishte bërë nga një noter publik. /abcnews.al