Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të tërhiqen nga marrëveshja për programin bërthamor të Iranit pasi nëse ndodh atëherë mund të ketë dhe luftë. Paralajmërimi u bë nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka bërë apel Presidentit amerikan, Donald Trump, që të mos heqë dorë nga marrëveshja për programin bërthamor me Iranin duke thënë se një gjë e tillë përbën rrezik për luftë. Në një intervistë për BBC, Guterres e cilësoi traktatin e 2015-ës një fitore të diplomacisë e cila duhet të ruhet.
“Nuk duhet ta anulojmë, të paktën jo nëse nuk kemi një alternativë. Kjo pasi na presin kohë të vështira përpara.”
Marrëveshja e 2015-s u arrit mes Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, Kinës, Francës, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë dhe Gjermaninë e Bashkimin Europian. Objektivi kryesor është të ndalohet Irani në zhvillimin e një teknologjie të tillë që do i lejonte të kishte armë bërthamore. Por në të njëjtën kohë, Teheranit i lejohet të vazhdojë programin për prodhimin e energjisë bërthamore që do të përdoret për shërbime civile. Pas arritjes së marrëveshjes në fillim të 2016-s, Iranit iu hoqën sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të amerikës, bashkimi europian dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së.
Tre ditë më parë kryeministri izraelit Benjamin Netaniau akuzoi Iranin se po gënjente përsa i përket programit bërthamor, pasi Irani ka të paktën katër bomba bërthamore si ato që u përdorën në Hiroshimë. Dhe duke cituar 55 mijë dokumentet të marra nga shërbimet sekrete izraelite në një zonë sekete në Iran, dokumente pa datë gjithësesi, Netaniau tregoi provat e tij përfundimtare me të cilat dëshiron të bindë Presidentin amerikan, Donald Trump, që të dalë nga marrëveshja./abcnews.al