Qeveria ka nisur fushatën e llogaridhënies publike nga Tirana. Në fushatën e llogaridhënies me qytetarët Kryeministri ka folur sërish për frikën e politikës nga vettingu. Duke folur perballe kryeqytetasve, Rama tha se qeveria i ka ulur taksat, ndërsa bashkia e Tiranës i ka rritur.
Llogaridhënien, fushatën e së cilës e nisi nga Tirana, qeveria socialiste e nisi me atë çka kabineti dhe vetë kryeministri Rama listuan si arritje dhe pritshmëri të këtij mandati të dytë. Vetë listoi ato që quajti arritje historike.
“Kemi marrë rekomandimin pa kushte nga KE, falë gjithë reformave dhe rezultateve që kemi arritur”.
Nga arritja e dytë, zgjodhi të injorojë rolin e LSI-së dhe PDIU-së, asokohe partnerë qeverisës, pa votën e së cilave ligji i vettingut nuk do ishte miratuar në gusht të 2016-ës.
“Nëse nuk do kishte qënë vota për ta çuar PS-në vetëm në qeveri, sot nuk do kishte nisur vettingu për gjykatës e prokurorë”
Qytetarët që ankohen për rritjen e taksave i ndau në dy kategori: ata të cilët nuk kanë paguar kurrë më parë taksa dhe gënjështarë.
“Ne paskemi rritur taksat dhe këtë ankesë e bëjnë ata që s’paguajnë kurrë në jetën e tyre. Ne kemi rritur taksën e karburanitit pa rritur koston e familjes. Ne vendosëm të rrisim një taksë që rëndon ata që kanë diçka më shumë, sepse konsumojnë karburant”
Atë që e nisi si kritikë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, e justifikoi po vetë në emër të kryeqytetasve.
“Një kryetar bashkie që gdhihet duke mbjellë pemë dhe nuk shkon të flejë pa mbjellë pemë ia vlen që t’i japësh 5 lekë për të rritur numrin e pemëve dhe për të rritur përmasën e gjelbër të kryeqytetit”.
Pasi një e punësuar pyeti për papunësinë, një qytetar i Tiranës mori përsipër të japë dakordësinë për taksat vendore dhe dy-tre të tjerë u referuan te ankohen tek portali shqipëria që duam, një zonjë e kthyer nga emigrimi në Francë tregoi problemin personal mbi 10 vjeçar.
“Dëshira ime ishte që fëmijët e mi të khheheshin një ditë këtu. Këmi bërë marrëveshje me pronarin dhe kemi depozituar nëpërmjet bankës 102 mijë euro dhe po vijmë çdo vit për ta ndjekur këtë pronë këtë djerësën tonë dhe nuk kemi një copë letër prej 10 vjetësh. Për një dyqan te kopshti botanik. Si ka mundësi që edhe këtë vit ai zotëria jo vetëm që nuk e ka mbaruar po ka amrrë edhe leje ndërtim i tjetër të rruga e Kavajës. Si ka mundësi? A ka shtet këtu?”.
Shefi i ekzekutivit shqiptar përgjegjësinë e la jetim dhe zgjidhjen ia kërkoi asaj që qau hallin.
Rama: “Nuk kuptoj se çfarë mendon ti se duhet të bëjë shteti në këtë mes?
Zonja: “Shteti të mos i japë leje ndërtimi, por ta detyrojë të mbarojë”
Rama: “Të lutem jepja pak asaj zonjës tjetër”
Kryebashkiaku Erion Veliaj, shfrytëzoi një tjetër pyetje për ta shpërndarë përgjegjësinë e qytetarit të parë të Tiranës, me ata që vetë i quan qytetarë të zakonshëm.
“Së pari që të themi të vërtetën unë i këshilloj njerëzit që nëse kanë 102 mijë euro mos ia japin pa çelësa në dorë. A do bëhemi ne qytetarë të përgjegjshëm? A do jemi ne nga ata që do themi: shoku ma jep me hipotekë në dorë që të të jap lekët! Ne nuk kemi polici gjyqësore si bashki, ne na duhet që këtë masakara, nëse është i tillë ta çojmë para drejtësisë”.
Me premtimin për një takim pas mbylljes së sinjalit replika nuk iu mundësua, dhe takimi i parë i llogaridhënies së pushtetit me qytetarët përfundoi. /abcnews.al