SHBA, shteti i Ajouas miraton ligjin më të rreptë të abortit

schedule22:12 - 2 Maj, 2018

schedule 22:12 - 2 Maj, 2018

Shteti amerikan i Ajouas ka miratuar një ligj që ndalon abortin në momentin kur konstatohet se zemra e fetuesit ka filluar të rrahë. Ligjvënësit republikanë aprovuan draftin dhe ia dërguan atë zyrës së guvernatorit për ta firmosur, me qëllim për ta kthyer në ligj.

Nëse hyn në fuqi, ligji do të ndalojë kryesisht abortet pas javës së gjashtë të shtatëzënisë dhe sipas grupeve të të drejtave të njeriut, ai do të jetë ligji më i rreptë në mbarë vendin. Kritikët argumentojnë se kjo lëvizje e bën abortin ilegal përpara se shumë gra të kuptojnë se janë shtatëzëna. Guvernatorja e Ajouas, Kim Reynolds nuk ka deklaruar ende nëse do ta firmosë apo jo draftin. Vitin e kaluar, republikanët e këtij shteti ia arritën që të ndalonin abortin pas 20 javë shtatëzëni.

Këtë herë parashikohen edhe disa përjashtime, si në raste dhunimi apo incesti, të cilat duhet të raportohen në polici, si dhe në ato raste kur bëhet fjalë për të shpëtuar jetën e gruas që mbart fetusin. “Ne jemi mazhorancë për një arsye që përfshin edhe avancimin e çështjeve të jetës. Ne jemi gjallë kur zemrat tona fillojnë të rrahin dhe të vdekur kur ato ndalojnë”, deklaroi kryetarja e grupit republikan Shenon Lundgren. /abcnews.al