Partia Demokratike ka reaguar pas vdekjes së 10 vjeçarit në Kakavijë, si pasojë e një aksidenti rrugor. Në reagimin e saj PD-ja shkruan se kjo është një ngjarje e rëndë dhe humbje e madhe për familjarët e të miturit.
Sipas selisë blu një ngjarje e tillë është alarm tragjik për braktisjen që qeveria u ka bërë qytetarëve të saj.
“Është e pafalshme që qeveria lejoi krijimin e radhëve të gjata, dhe nuk informoi qytetarët në kohë. Është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PD-së.
LEXO EDHE: Tragjike në Kakavijë, ambulanca përplas për vdekje fëmijën
Reagimi i plotë:
Mendimet dhe lutjet tona janë sot me prindërit dhe familjarët e fëmijës që humbi sot jetën në aksidentin tragjik, në mesin e krizës humanitare të krijuar prej 4 ditësh në pikën kufitare të Kakavijës. Zoti ju dhëntë forcë për ta përballuar dhimbjen dhe këtë humbje të rëndë.
Kjo ngjarje e rëndë është një tjetër alarm tragjik për braktisjen e qytetarëve nga qeveria. Është e pafalshme që qeveria lejoi krijimin e radhëve të gjata, dhe nuk informoi qytetarët në kohë.
Është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi.
Kjo krizë nuk zgjidhet me propagandë në rrjetet sociale. Nuk zgjidhet me postime virtuale nga rezidencat luksoze qeveritare ku pushon kryeministri, dhe as me xhiro me helikopter dhe rikthim në hotele me 5 yje ku pushojnë anëtarët e kabinetit të tij qeveritar.
Zgjidhja e krizës humanitare kërkon angazhimin në nivelet më të larta të qeverisë dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë. Njerëzit meritojnë të trajtohen me dinjitet nga shteti i tyre./abcnews.al