Rama për negociatat: Jam optimist, Krichbaum flet me zërin e PD

schedule12:03 - 1 Maj, 2018

schedule 12:03 - 1 Maj, 2018

Kryeministri Rama është optimist për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Qershor, pavarësisht individëve apo forcave skeptike për zgjerimin në vende të ndryshme. Në studion e gazetares Ilva Tare tregoi për takimet gjatë vizitës zyrtare në Berlin si dhe foli për qëndrimet e opozitës.

Ia kanë thënë në sy njëri-tjetrit mendimin ndryshe për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kjo nuk e shqetëson aspak kryeministrin Edi Rama, madje në veshët e tij Krishbaum e barazon me Partinë Demokratike në versionin gjermanisht.

Edi Rama: “Nuk është sekret që zotëria ka një mendim të konsoliduar jo pozitiv për qeverinë tonë. Kemi pasur një debat në Tiranë dhe i kemi opinionet shumë të largëta. M’i ka thënë në sy dhe ia kam thënë në sy, kur flet, dëgjoj në gjermanisht Partinë Demokratike të Shqipërisë”.

Duke folur për takimin me deputetin kritik në Berlin në televizionin Ora News,  kryeministri Rama sqaroi se e kupton rolin që po luan Krishbaum në parlamentin gjerman për Shqipërinë.

Edi Rama: “Nuk gjykoj mbi rëndësinë e njëri apo tjetrit. Tani u bëra veteran në këtë fushë dhe qëniet politike i nuhas shumë kollaj”.

Pas deputetit Krishbaum është zëri opozitës tha kryeministri Rama, të cilës i ka kërkuar që ta ndalojë eksportin e baltës në Evropë deri në fund të Qershorit.

Edi Rama: “Por pavarësisht kërkesës eksporti vazhdon”.

E megjithatë dorën e shtrirë për bashkëpunim nuk e ka tërhequr pavarësisht se dritë jeshile nuk sheh nga ana opozitës.

Edi Rama: “Aty brenda hapësirë nuk ka, por këtu jashtë ku jam unë ka hapësirë dhe unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me opozitën, dora jonë është e shtrirë ndaj opozitës. Ne e mbajmë dorën shtrirë, po ata janë shtrirë poshtë nesh kështu që nuk e di kur do ngrihen kur të na japin dorën dhe kështu siç i shikoj punët kjo nuk do të ndodhë në një kohë të afërt”.

Sa për koalicionet e mundshme në zgjedhjet vendore, opozita është e përjashtuar nga lista e Partisë Socialiste.

Edi Rama: “Me të gjitha partitë e tjera, veç jo atyre që janë në parlament”.