Prokuroria e Krimeve të Rënda zgjeron rrethin e personave të marrë në pyetje në lidhje me hetimet që po zhvillon ndaj ish – ministrit të Brendshem, Saimir Tahiri. Pyetjeve të prokuroreve të çështjes u është pergjigjiur sot ish –truproja e tij dhe disa banorë të fshatit Gjorm të Vlorës, mes të cilëve edhe të afërm të Nazer Seitit, i konsideruar si financieri i bandës së Habilajve.
Pak ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi kërkesën e prokurorisë për zgjatje e afateve të hetimeve për Saimir Tahiri, kanë zgjeruar rrethin e personave të cilët po pyetet për këtë çështje. Për më shumë se tre orë është marrë në pyetje në prokurorinë e krimeve të rënda truproja i ish-ministrit të brendshëm.
Elvis Rexha ka dhënë sqarime në zyrën e prokurorit Dritan Prençi në lidhje me hetimet që po kryehen me dosjen Tahiri-Habilaj.
Rexha është pyetur për disa lëvizje që Tahiri ka kryer jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali vende nga ku prokuroria ka kërkuar informacione.
Gjithashtu ai është pyetur nëse ka njohje me disa persona të cilët janë nën hetim në këtë dosje.
Po këtë të hënë në Prokurori janë marrë në pyetje edhe disa banorë të fshatit Gjorm të Vlorës, nga ku ka origjinën Nezar Seiti, i konsideruar një nga njerezit kryesore të Klanit Habilaj.
Mes të pyeturve ka edhe të afërm të Seitit. 41 vjeçari 4 muaj më parë u ekstradua në Itali, në ngjarje e cila u shoqërua me debate të forta politike mes opozitës dhe mazhorancës. Tahiri akuzohet nga prokuroria për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion, akuza të cilat janë mohuar vazhdimisht nga ai.
Çështja Tahiri u risoll sërish në vëmendje të publikut pak ditë më parë kur Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërine, teksa opozita tha se pa arrestimin e tij s’mund të kishte vendim pozitiv të vendeve anëtare, edhe pse rekomandimi në të vërtetë u dha pa kushte. /abcnews.al